Tre astronautët kthehen në Tokë pasi kaluan disa muaj në stacionin hapësinor
Rusët Anatoly Ivanishin dhe Ivan Vagner si dhe amerikani Chris Cassidy ishin në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar që nga 9 prilli

Ankara
Tre anëtarët e ekuipazhit të anijes kozmike Soyuz MS-16 u kthyen të sigurtë në Tokë dhe ateruan pranë qytetit Jezkazgan të Kazakistanit sot në mëngjes, njoftoi agjencia ruse e hapësirës Roscosmos, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kosmonautët rusë Anatoly Ivanishin dhe Ivan Vagner si dhe astronauti amerikan Chris Cassidy kanë qenë në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS) që nga 9 prilli.
Anija kozmike u shkëput në ora 02:32 të mëngjesit sipas kohës lokale (ora 23:32 sipas kohës së Evropës Qendrore) nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar dhe ateroi në ora 08:54 të mëngjesit sipas kohës lokale (ora 05:54 sipas kohës së Evropës Qendrore).
"Astronautët e Roscosmos Anatoly Ivanishin, Ivan Vagner dhe astronauti i NASA-s, Christopher Cassidy janë në gjendje të mirë shëndetësore", njoftoi Roscosmos në një deklaratë.
"Sot Anatoly Ivanishin dhe Ivan Vagner do të marrin një fluturim 'charter' për në aeroportin Chkalovsky (rajoni i Moskës). Për disa javë, ata do të qëndrojnë në Star City për rehabilitimin pas fluturimit. Mjekët do të monitorojnë shëndetin e anëtarëve të ekuipazhit rus të anijes Soyuz MS-16", thuhet në deklaratë.
Roscosmos bëri të ditur se ekspedita e 63-të afatgjate u lansua më 9 prill nga pista 31 e Qendrës Hapësinore Baikonur, ndërsa Soyuz MS-16 u bë anija e parë kozmike me ekuipazh që shkoi në orbitë në mjetin lansues Soyuz-2.1a me një ekuipazh brenda.
Ivanishin, Vagner dhe Cassidy kanë kryer dhjetëra eksperimente në fusha të ndryshme të shkencës gjatë 196 ditëve të tyre në hapësirë, theksoi korporata.
Aktualisht, ekuipazhi i 64-të i ekspeditës afatgjatë i përbërë nga kosmonautët e Roscosmos, Sergey Ryzhikov, Sergey Kud-Sverchkov dhe astronautja e NASA-s Kathleen Rubins vazhdojnë të punojnë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, tha Roscosmos.
Misioni SpaceX Crew-1 është planifikuar të lansohet me astronautët Michael Hopkins, Victor Glover, Shannon Walker dhe Soichi Noguchi që bashkohen me ekuipazhin aktual në nëntor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.