Shkencë dhe Teknologji

Qentë robotë të IA-së tërheqin vëmendjen në panairin global të teknologjisë GITEX në Dubai

Menaxheri rajonal i shitjeve të kompanisë, Maksim Hao tha se DEEP Robotics zhvilloi qentë për të zëvendësuar punëtorët (njerëzit) në mjedise të rrezikshme

Alban Agushi  | 16.10.2025 - Përdıtësım : 17.10.2025
Qentë robotë të IA-së tërheqin vëmendjen në panairin global të teknologjisë GITEX në Dubai

Tiranë

Qentë robotë të mundësuar nga Inteligjenca Artificiale (IA) nga DEEP Robotics me seli në Kinë tërhoqën vëmendje të madhe në ekspozitën e 45-të të teknologjisë GITEX Global në Dubai, duke u dalluar midis inovacioneve të tjera të drejtuara nga IA, raporton Anadolu.

Menaxheri rajonal i shitjeve të kompanisë, Maksim Hao tha për AA-në se DEEP Robotics zhvilloi qentë për të zëvendësuar punëtorët (njerëzit) në mjedise të rrezikshme. Robotët përdoren tashmë në operacione që variojnë nga reagimi ndaj emergjencave deri te ndihma ndaj forcave të sigurisë.

Hao theksoi se produktet e DEEP Robotics janë në përdorim në të gjithë Amerikën e Veriut, Evropën dhe Turqinë. Ai vuri në dukje se qentë robotë janë më praktikë dhe të besueshëm sesa robotët humanoidë, të cilët shpesh shërbejnë vetëm për qëllime sociale ose demonstrative.

Sipas tij, robotët humanoidë kryesisht përshëndesin njerëzit e tjerë dhe shtrëngojnë duart, por ata nuk janë zëvendësime të vërteta për njerëzit. Hao tha se qentë robotë derisa përdorin IA-në bashkëveprojnë automatikisht me njerëzit dhe mjedisin në të cilin ndodhen për të përcaktuar hartat dhe rutinat e tyre për të përfunduar detyrat.

"Ne përdorim inteligjencën artificiale te qentë robotë për kontrollin dhe perceptimin e lëvizjes. Ata mund të zbulojnë pengesat dhe t'i shmangin ato, por në të ardhmen, ata do të bashkëveprojnë me mjedisin dhe do të marrin vendime vetë. Fushat për të cilat do të përdoren qentë robotë do të zgjerohen për të përfshirë shpërndarjen dhe marketingun, pasi ato përdoren tashmë për shpërndarje në Kinë", tha Hao.

Ai tha se DEEP Robotics projekton të gjithë komponentët kryesorë të harduerit dhe softuerit brenda kompanisë përmes ekipit të saj të kërkimit dhe zhvillimit, duke e quajtur kompaninë një nga inovatorët kryesorë të robotikës në botë.

Edicioni i 45-të i GITEX Global, një nga ekspozitat më të mëdha të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në botë, po mbahet në Dubai këtë javë me pjesëmarrjen e rreth 6.800 kompanive nga 180 vende. Eventi i cili ka filluar të hënën, do të zgjasë deri të premten.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın