Shëndetësi

Tiranë, konferencë ndërkombëtare për shëndetin mendor

"Shëndeti mendor është një pjesë integrale e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Është njëherësh një sfidë për çdo sistem shëndetësor dhe social në botë, për adresimin e duhur të problematikave"

Fatjon Cuka  | 08.05.2018 - Përdıtësım : 08.05.2018
Tiranë, konferencë ndërkombëtare për shëndetin mendor Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Konferenca e 6-të Ndërkombëtare e Shëndetit Publik ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të institucioneve shëndetësore, studiues dhe mjekë nga Shqipëria, por dhe më gjerë, për të diskutuar për çështjet specifike të shëndetit mendor dhe problemet që lidhen me kategori të caktuara të popullatës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën me temë “Evidenca dhe praktikat e suksesshme të shërbimeve të shëndetit mendor”, diskutohet për disa çështje kryesore, të cilat kanë të bëjnë me shëndetin mendor në shoqëritë në tranzicion në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera të Evropës.

Bardhylka Kospiri, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, duke folur në hapje të konferencës tha se gjatë viteve të fundit është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura e shërbimeve ekzistuese për shëndetin mendor dhe sipas saj investimet do të vijojnë.

"Shëndeti mendor është një pjesë integrale e shëndetit dhe mirëqenies së përgjithshme. Është njëherësh një sfidë për çdo sistem shëndetësor dhe social sot në botë, për adresimin e duhur të problematikave që bartin çrregullimet e shëndetit mendor. Është me rëndësi të flasim për shëndetin mendor dhe mbi të gjitha të veprojmë shpejt në disa drejtime, që nga parandalimi dhe trajtimi efikas, sepse çrregullimet mendore janë të shpeshta dhe prekin më shumë se 25 për qind të popullsisë në një periudhë të jetës", tha Kospiri.

Sipas saj, shërbimet për shëndetin mendor janë bërë pjesë integrale e sistemit të shërbimeve publike dhe janë ngritur shërbime të reja të panjohura më parë, të emërtuara si qendra komunitare të shëndetit mendor, apo qendra të tjera ditore.

Ajo tha se Shqipëria po zbaton reformën e shëndetit mendor e cila synon ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor, për të qëndruar sa më pranë popullatës. 

Konferenca e cila vazhdon gjatë gjithë ditës së sotme organizohet nga Instituti i Shëndetit Publik i Republikës së Shqipërisë me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa pjesë e saj janë studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın