Shëndetësi, Shkencë dhe Teknologji

Studiuesit turq zbulojnë efekt antibiotik kundër baktereve te larvat e bletëve mashkullore

Rezultatet e studimit kanë treguar se bakteret e trajtuara me apilarnil reaguan në mënyrë të ngjashme me ato të trajtuara me antibiotikë

Mehmet Çalık  | 28.03.2025 - Përdıtësım : 30.03.2025
Studiuesit turq zbulojnë efekt antibiotik kundër baktereve te larvat e bletëve mashkullore

Uşak

Një studim i kryer nga studiues turq mbi specie të ndryshme bakteriale, ka konstatuar se larvat e bletës mashkullore (apilarnil) kanë një efekt të barabartë me antibiotikët në shkatërrimin e baktereve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Nën drejtimin e prof. dr. Nuray Şahinler nga Departamenti i Zooteknisë në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Uşakut, studimi filloi një vit më parë me qëllimin për të analizuar ndikimin e apilarnilit ndaj sëmundjeve bakteriale.

Në këtë kuadër, mostra të qumështit të marra nga lopët e diagnostikuara me mastit (infeksion i gjëndrave të qumështit) u izoluan në laboratorin e universitetit. Bakteret e pranishme në qumësht u ndanë sipas llojeve të tyre dhe më pas u trajtuan me antibiotikë dhe krem të përgatitur nga apilarnili. Rezultatet treguan se bakteret e trajtuara me apilarnil reaguan në mënyrë të ngjashme me ato të trajtuara me antibiotikë.

- Efektive kundër 14 llojeve të baktereve

Në studimet laboratorike u konstatua se larvat e bletëve mashkullore dhanë rezultate të ngjashme në 14 lloje bakteresh që ndikojnë negativisht në shëndetin e gjallesave dhe se ashtu si antibiotikët, të dyja parandalonin përhapjen e baktereve dhe i shkatërronin ato.

Prof. dr. Nuray Şahinler, e cila prej 25 vitesh punon me produkte të bletëve tha për Anadolu se përfitimet antioksidante dhe probiotike të produkteve të bletëve janë të njohura, por hulumtimet e fundit janë fokusuar kryesisht te helmi i bletës.

Ajo shpjegoi se larvat e bletëve mashkullore, të cilat përdoren vetëm për çiftëzim, zakonisht hidhen nga bletarët pasi arrijnë moshën 7 deri në 10 ditë. Megjithatë, sipas saj, apilarnili përmban të gjitha lëndët ushqyese thelbësore që i nevojiten një organizmi të rritur.

- Rëndësia e studimit

Şahinler theksoi se rezistenca ndaj antibiotikëve është një problem në rritje në mbarë botën dhe theksoi rëndësinë e gjetjes së alternativave natyrale.

"Brenda 15-20 viteve të ardhshme, disa sëmundje bakteriale mund të bëhen të patrajtueshme për shkak të përdorimit të tepruar dhe të pakontrolluar të antibiotikëve. Fatkeqësisht, Türkiye është ndër vendet me përdorimin më të lartë të antibiotikëve, gjë që ka çuar në zhvillimin e rezistencës bakteriale. Prandaj, gjetja e substancave natyrale me efekt antibakterial të krahasueshëm me antibiotikët është e një rëndësie të veçantë", thotë ajo.

Ajo shtoi se konsumimi i larvave të bletëve mashkullore duhet të bëhet me kujdes, pasi doza e tepërt mund të ketë efekte të padëshiruara. Sipas saj, për ta kthyer këtë substancë në një ilaç, nevojiten edhe katër faza të tjera kërkimore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın