Studim: Përdorimi i rregullt i aspirinës te personat e moshës mbi 65 vjeç mund të shkaktojë anemi
Në hulumtim, ku janë vëzhguar mbi 18 mijë persona të moshës 65 vjeç e më lart në Australi dhe SHBA gjatë pesë viteve, është gjetur lidhje midis përdorimit të aspirinës nga grupi i barnave "antiinflamatore josteroide" dhe anemisë

Ankara
Hulumtuesit kanë zbuluar se mundësia për anemi te personat e moshës 65 vjeç e më lart që përdorin çdo ditë aspirinë është 20 për qind më e lartë se tek ata që nuk përdorin, transmeton Anadolu.
Sipas një lajmi në CNN, në hulumtim, ku janë vëzhguar mbi 18 mijë persona të moshës 65 vjeç e më lart në Australi dhe SHBA gjatë pesë viteve, është gjetur lidhje midis përdorimit të aspirinës nga grupi i barnave "antiinflamatore josteroide" dhe anemisë.
Gjysma e pjesëmarrësve të vëzhguar në kuadër të hulumtimit kanë përdorur 100 miligramë aspirinë në ditë, ndërsa gjysma tjetër kanë marrë placebo (ilaç joefektiv).
Çdo vit, mjekët kanë kontrolluar rregullisht përqindjen e proteinës së ferritinës, që ruan hekurin në qelizat e gjakut, dhe hemoglobinës.
Në hulumtim, përveç vëzhgimit se nivelet e ferritinës dhe hemoglobinës, e cila ndihmon në bartjen e oksigjenit në gjak, janë të ulëta tek përdoruesit e aspirinës, u vu re gjithashtu se rreziku i formimit të anemisë, e njohur si gjakdobësi, ishte 20 për qind më i lartë se tek ata që nuk përdornin aspirinë.
Shkencëtarët gjithashtu tërhoqën vëmendjen se 24 për qind e të moshuarve që përdorin aspirinë mund të zhvillojnë anemi brenda pesë viteve, krahasuar me 20 për qind të atyre që përdorin barna joefektive.
Studiuesit vunë në dukje se rreziku i anemisë në këtë grupmoshë vazhdon pavarësisht faktorëve të ndryshëm si kanceri, sëmundjet e veshkave, diabeti dhe sëmundje të ngjashme kronike, si dhe përdorimi i barnave të tjera "antiinflamatore josteroide", gjinisë dhe moshës.
Vlerësohet se aspirina, e cila e bën të vështirë mpiksjen e gjakut, shkakton anemi.
Aspirina, një nga barnat më të përdorura në SHBA, përdoret për të reduktuar rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru në më shumë se 40 për qind të të moshuarve, për arsye se parandalon mpiksjen e gjakut.
Studimi është publikuar në revistën "Annals of Internal Medicine".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.