Shëndetësi

Britania ndalon reklamat e ushqimeve të dëmshme për të frenuar obezitetin te fëmijët

Qeveria tha se rregullat e reja do të heqin deri në 7.2 miliardë kalori nga dietat e fëmijëve çdo vit

Burak Bir  | 05.01.2026 - Përdıtësım : 05.01.2026
Britania ndalon reklamat e ushqimeve të dëmshme për të frenuar obezitetin te fëmijët

Londër

Mbretëria e Bashkuar sot zbatoi një ndalim mbarëkombëtar për reklamat e ushqimeve të dëmshme në televizion dhe në internet si pjesë e përpjekjeve qeveritare për të luftuar obezitetin në rritje te fëmijët, transmeton Anadolu.

Sipas rregullave të reja, ushqimet dhe pijet e klasifikuara si të pasura me yndyrë, kripë dhe sheqer (HFSS) nuk mund të reklamohen në TV para orës 21:00 sipas orës lokale ose të promovohen përmes reklamave të paguara në internet në çdo kohë.

"Fëmijët do të mbrohen nga ekspozimi i tepërt ndaj reklamave të ushqimeve të pashëndetshme në televizion dhe në internet", tha Departamenti i Shëndetësisë në një deklaratë.

Departamenti tha se rregulloret pritet të zvogëlojnë numrin e fëmijëve që jetojnë me obezitet me 20 mijë dhe të sjellin rreth 2 miliardë paund (2.68 miliardë dollarë) në përfitime shëndetësore me kalimin e kohës.

Sipas shifrave zyrtare, 22.1 për qind e fëmijëve në Britani jetojnë me mbipeshë ose obezitet në fillim të shkollës fillore, duke u rritur në 35.8 për qind në mbarim të shkollës.

Ministrja e Shëndetit Publik, Ashley Dalton tha se kufizimi i reklamave të ushqimeve të dëmshme para orës 21:00 dhe ndalimi i reklamave të paguara në internet do të zvogëlojë ekspozimin e tepërt ndaj ushqimeve të pashëndetshme dhe do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve më të shëndetshme për prindërit dhe fëmijët.

Drejtoresha ekzekutive e Aleancës për Shëndetin kundër Obezitetit (Obesity Health Alliance), Katharine Jenner e mirëpriti këtë veprim, duke thënë se fëmijët më në fund do të mbrohen nga reklamat "më të dëmshme" të ushqimeve të shpejta.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Diabetes UK, Colette Marshall tha se nevoja për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve nuk ka qenë kurrë më e madhe, pasi diabeti i tipit 2 vazhdon të rritet tek të rinjtë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.