Zyrtari i OKB-së paralajmëron se ofensiva izraelite në të gjithë Gazën mund të sjellë “pasoja katastrofike”
“Raportet më të fundit në lidhje me vendimin e mundshëm të kryeministrit Netanyahu për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës, nëse janë të vërteta, janë thellësisht shqetësuese”, tha Jenca

Ontario
Një zyrtar i lartë i OKB-së ka paralajmëruar se planet e mundshme të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të zgjeruar operacionet ushtarake në të gjithë Rripin e Gazës do të kishin “pasoja katastrofike”, transmeton Anadolu.
“Raportet më të fundit në lidhje me vendimin e mundshëm të kryeministrit Netanyahu për të zgjeruar operacionet ushtarake të Izraelit në të gjithë Rripin e Gazës, nëse janë të vërteta, janë thellësisht shqetësuese”, tha gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndihmës/sekretari i përgjithshëm i OKB-së për Evropën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jenca.
“Kjo do të rrezikonte pasoja katastrofike për miliona palestinezë dhe do të mund të vinte më tej në rrezik jetën e pengjeve që ndodhen ende në Gaza”, shtoi ai.
Jenca e përshkroi situatën në enklavë si “tmerruese dhe të padurueshme”, duke theksuar se “palestinezët përballen çdo ditë me kushte të mjerueshme dhe çnjerëzore”.
“Që nga fillimi i konfliktit, mbi 60 mijë palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza”, tha ai, duke shtuar se vetëm që nga fundi i majit më shumë se 1.200 palestinezë janë vrarë dhe mbi 8.100 janë plagosur teksa përpiqeshin të siguronin ushqime, shumë prej tyre pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave të militarizuara.
Jenca theksoi kufizimet e vazhdueshme të Izraelit për futjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.
“Uria është kudo në Gaza, e dukshme në fytyrat e fëmijëve dhe në dëshpërimin e prindërve që rrezikojnë jetën për të siguruar gjërat më elementare”, tha ai.
Duke e përsëritur qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Jenca dënoi “të shtënat, vrasjet dhe plagosjet e njerëzve që përpiqen të sigurojnë ushqim për familjet e tyre”, duke theksuar se “civilët duhet të respektohen, të mbrohen dhe të mos jenë kurrë objektiv i qëllimshëm apo të privohen me dashje nga ushqimi apo ndihmat për shpëtimin e jetës.
“Kjo përbën krim lufte”, theksoi ai.
Ai përsëriti thirrjen e OKB-së për një armëpushim të plotë dhe të përhershëm, lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve dhe qasje të sigurt për ndihmën humanitare.
“Nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Gaza”, paralajmëroi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.