Zelenskyy: Ukraina pret mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-ja kundër Rusisë
- “Sigurisht, ne mbështetemi në vazhdimin e mbështetjes amerikane, për marrëdhëniet tona dypalëshe me SHBA-në dhe këtë mbështetje shpresoj që ndoshta nesër ose në ditët në vijim do ta bisedojë me presidentin Trump”, tha Zelenskyy

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Kievi pret mbështetje të vazhdueshme nga SHBA-ja në luftën me Rusinë dhe se së shpejti do të flasë me presidentin amerikan, Donald Trump, për këtë çështje, transmeton Anadolu.
Në një takim për media në qytetin danez Aarhus gjatë hapjes së presidencës daneze të Këshillit të BE-së, Zelenskyy, i cili ishte i shoqëruar nga kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, u pyet për një ndalesë të SHBA-së në dërgesat e armëve në Ukrainë dhe nëse Evropa ishte gati të plotësojë boshllëqet.
“Sigurisht, ne mbështetemi në vazhdimin e mbështetjes amerikane, për marrëdhëniet tona dypalëshe me SHBA-në dhe këtë mbështetje shpresoj që ndoshta nesër ose në ditët në vijim do ta bisedojë me presidentin Trump”, tha Zelenskyy.
Duke komentuar bisedën e sotme telefonike midis Trumpit dhe presidentit rus, Vladimir Putin, Zelenskyy tha: “Sinqerisht, nuk e di. Nuk jam i sigurt nëse kanë shumë ide të përbashkëta. Por nëse flasim për Ukrainën, ne kemi mbështetur që nga fillimi idenë e propozimit të presidentit Trump për një armëpushim pa kushte”.
Ai theksoi se vetëm Putini mund të vendosë hapat e ardhshëm të Rusisë në luftë.
"Në Rusi, vetëm presidenti Putin është vendimmarrësi i vërtetë. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për takime në nivelin e udhëheqësve, nëse duam vërtet paqe", tha Zelenskyy.
Disa raporte të mediave amerikane thanë se Trump do të flasë me Zelenskyyn nesër.
Zelenskyy gjithashtu e shfrytëzoi rastin për të bërë thirrje për një koordinim më të thellë midis Evropës dhe SHBA-së mes shqetësimeve në rritje mbi unitetin transatlantik.
"Tani, kur ka dyshime për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Evropën, është edhe më e rëndësishme të forcojmë bashkëpunimin dhe koordinimin tonë përmes BE-së dhe gjithashtu në marrëdhëniet tona të drejtpërdrejta, si me njëri-tjetrin në Evropë ashtu edhe me SHBA-në”, tha ai.
Ai falënderoi Danimarkën për mbështetjen e saj ushtarake dhe përshëndeti iniciativën e saj të ardhshme për prodhimin e përbashkët të armëve me Ukrainën.
Ai gjithashtu i kërkoi BE-së të sigurojë që ndihma mbrojtëse të mbetet e parashikueshme dhe të përshpejtojë transferimin e fitimeve të aseteve ruse të ngrira në prodhimin e mbrojtjes ukrainase.
Lidhur me zgjerimin e BE-së, Zelenskyy tha se Ukraina ka përmbushur kërkesat teknike për të filluar bisedimet e pranimit.
"Ne jemi gati të hapim kllasterin e parë, bazat dhe do të jemi gati për to më vonë këtë vit. Është koha për të hapur kllasteret", shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.