Zelenskyy: Shënimi i Ditës së Fitores në Moskë, "paradë cinizmi"
"Ata që orkestruan bllokadën e Mariupolit do të jenë ata që do të flasin për rrethimin e Leningradit. Ajo do të jetë një paradë cinizmi", tha presidenti ukrainas Zelenskyy

Istanbul
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, paradën e nesërme të Ditës së Fitores në kryeqytetin rus Moskë e ka quajtur "paradë cinizmi", transmeton Anadolu.
"Nesër, mizoritë e nazistëve do të ngrihen në pah nga organizatori i varreve masive në Bucha. Dhe ata që orkestruan bllokadën e Mariupolit do të jenë ata që do të flasin për rrethimin e Leningradit. Ajo do të jetë një paradë cinizmi", tha Zelenskyy në një video-adresim me rastin e Ditës së Përkujtimit të Ukrainës dhe Fitores ndaj Nazizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Sipas tij, "thjesht nuk ka mënyrë tjetër për ta përshkruar, një paradë me gënjeshtra".
"Sikur nuk ishin dhjetëra shtete aleate, por personalisht Putini i cili mundi nazizmin. Sikur ishte ai që ngriti me duart e veta Flamurin e Fitores mbi Reichstag në Berlin", tha Zelenskyy.
Zelenskyy tha se vendi i tij po lufton për paqe dhe e kupton se çfarë nevojitet për ta arritur atë, duke argumentuar se "Rusia duhet të ndryshojë rrënjësisht ose bota do të duhet të ndryshojë".
Më tej, ai argumentoi se ajo që ndodhi 80 vjet më parë ua bëri të qartë të gjithëve se e keqja "nuk mund të qetësohet", por përkundrazi duhet të luftohet me forcë "kudo që të jetë e mundur".
Komentet e presidentit ukrainas vijnë disa orë pasi një armëpushim tre-ditor i njëanshëm në Ukrainë, i shpallur muajin e kaluar nga presidenti rus, Vladimir Putin, hyri në fuqi nga mesnata dhe siç është planifikuar do të qëndrojë në fuqi deri në mesnatën e 11 majit.
Armëpushimi u shpall pasi parada ushtarake vjetore do të zhvillohet në Sheshin e Kuq të Moskës nesër, me pjesëmarrjen e liderëve të huaj në përkujtim të 80-vjetorit të Ditës së Fitores.
Dita e Fitores shënohet më 9 maj në Rusi dhe në vende të tjera, përfshirë disa ish-shtete sovjetike, për të përkujtuar fitoren e Bashkimin Sovjetik kundër Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, një konflikt që Rusia e quan Lufta e Madhe Patriotike.