Politikë

Zaev dhe Mickoski vazhdojnë konsultimet për përbërjen e qeverisë së përkohshme

Kryeministri dhe kreu i partisë në pushtet është takuar me kreun e opozitës, ku janë konsultuar për qeverinë teknike para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për më 12 prill 2020, por nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare

Abdula Berısha  | 28.12.2019 - Përdıtësım : 30.12.2019
Zaev dhe Mickoski vazhdojnë konsultimet për përbërjen e qeverisë së përkohshme ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryetar i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, ka zhvilluar një takim me kreun e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski, ku janë konsultuar për qeverinë teknike para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të planifikuara për më 12 prill 2020, por nuk kanë arritur marrëveshje përfundimtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Ligjit për Qeveri, më së voni 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kryeministri duhet të japë dorëheqje dhe në krye të qeverisë teknike të jetë një kandidat i propozuar nga pushteti, ndërsa qeveria teknike ka për detyrë të zbatojë zgjedhjet.

Gjithnjë sipas ligjit, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale duhet ta udhëheqë kuadër i opozitës, ndërsa zv/ministri do të jetë nga radhët e pushtetit. Gjithashtu, opozita do të ketë zv/ministra edhe në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë, dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Në deklaratë për mediat pas përfundimit të takimit, kryeministri Zaev tha se për të gjitha palët është e rëndësishme që në Maqedoninë e Veriut të mbahen zgjedhje të drejta dhe demokratike, duke shtuar se për këtë edhe opozita do të ketë përgjegjësinë e saj pasi do të marrë pjesë në qeverinë teknike.

Ai tha se me Mickoskin kanë diskutuar për propozimet e opozitës, duke theksuar se personat e propozuar nuk duhet të jenë të akuzuar nga Prokuroritë Publike të shtetit.

"Prandaj, emrat e tjerë, përveç emrit të kandidatit për ministër të Punëve të Brendshme, do të shpallen të hënën në koordinim me z. Mickoski. Me siguri atëherë edhe ata do t'i shpallin emrat. Duke pasur parasysh që z. Mickoski dha një deklaratë dhe nuk shpalli emra, unë vetëm do të them që një person ushtarak është propozuar për ministër të brendshëm dhe kështu tani lind dilema nëse Kushtetuta sipas nenit 97 e lejon këtë", tha Zaev.

Kryeministri rikujtoi se sipas Kushtetutës, me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme duhet të udhëheqë person civil, duke shtuar se do të vazhdojnë konsultimet me opozitën dhe ekspertët.

Ai nuk përjashtoi mundësinë e emërimit të propozimit të opozitës, nëse ekspertët kushtetues rekomandojnë që me këtë nuk shkelet Kushtetuta, si dhe të ndonjë propozimi tjetër që mund të dalë nga opozita, por u shpreh decid se dëshiron të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill 2020.

Emrin e propozimin për ministër të Punëve të Brendshme nuk e dha as kreu i opozitës, Hristijan Mickoski. Në deklaratë për media pas takimit me kryeministrin Zaev, Mickoski tha se kryeministrit ia kanë prezantuar propozimin dhe se presin që Zaev të kryejë konsultimet e nevojshme.

"Në lidhje me pyetjen e parë, folëm për emrin (e kanditatit të propozuar), e prezantuam, prezantuam biografinë e personit. Në interes të konsultimeve shtesë që ai ka për të kryer, nuk do ta përmendja ende propozimin tonë", tha Mickoski.

Gjatë ditës së djeshme, LSDM ka mbajtur mbledhje të Këshillit Qendror në lidhje me ndryshimet kadrovike për qeverinë e përkohshme që duhet të votohen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 3 janar 2020, datë e cila përputhet me afatit 100-ditor të paraparë me ligj

Mes tjerash, LSDM ka vendosur që në krye të qeverisë së përkohshme të jetë Oliver Spasovski, zv/kryeministër i deritanishëm dhe ministër i Punëve të Brendshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.