Politikë

Xhaferi: Reformat nuk janë të lehta, por nuk duhet të ndalemi

“Është e qartë se reformat nuk janë të lehta, por nuk duhet të ndalemi. Ne duhet të vazhdojmë me kohën dhe ndryshimet që sjell çdo ditë e re dhe secila fazë kaluese në anëtarësimin tonë në NATO dhe BE”, tha Xhaferi

Husamedin Gina  | 11.12.2019 - Përdıtësım : 11.12.2019
Xhaferi: Reformat nuk janë të lehta, por nuk duhet të ndalemi ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, është adresuar në konferencën me temë “Reformat në sektorin e inteligjencës në Maqedoninë e Veriut: Arritjet, sfidat dhe prioritetet”, organizuar nga Qendra për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura - Gjenevë (DCAF), raporton Anadolu Agency (AA).

Xhaferi kujtoi se reformat në sektorin e inteligjencës kanë filluar si rezultat i përpjekjeve për anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE).

“Është e qartë se reformat nuk janë të lehta, por nuk duhet të ndalemi. Ne duhet të vazhdojmë me kohën dhe ndryshimet që sjell çdo ditë e re dhe secila fazë kaluese në anëtarësimin tonë në NATO dhe BE”, tha Xhaferi.

Po ashtu duke njoftuar se ai ishte pjesë e një delegacioni që zbarkoi në transportuesin e avionëve ‘Harry S. Truman’, Xhaferi tha se ndjenja e krenarisë ishte në shkallën më të lartë sepse Maqedonia e Veriut është pjesë e asaj aleance të fuqishme dhe pjesë e kapaciteteve të NATO-s.

Sipas Xhaferit, udhërrëfyesi i zbatimit të masave për monitorimin e komunikimeve, që është produkt në kuadër të DCAF-së, do të pasurohet në mënyrë shtesë në bazë të reformave në sektorin e inteligjencës.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe drejtori i DCAF-së, Thomas Guerber, vitin e kaluar nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për zbatimin e Programit të reformës në sektorin e inteligjencës së Maqedonisë së Veriut për periudhën 2017-2020.

Programi synon të japë një kontribut të efektshëm dhe të qëndrueshëm për një qeverisje më të mirë demokratike të sektorit të inteligjencës, i cili do të kontribuojë në përmirëismin e stabilitetit, sundimit të ligjit dhe sigurisë së shtetit dhe qytetarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.