Politikë

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Tajvan irriton Kinën

Ushtria kineze nisi një stërvitje ushtarake në Ngushticën e Tajvanit

Riyaz Khaliq  | 18.09.2020 - Përdıtësım : 19.09.2020
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Tajvan irriton Kinën

Ankara

Vizita e dytë radhazi nga një zyrtar i lartë i SHBA-së në Tajvan ka shkaktuar që Pekini të tronditet nga zemërimi ndërsa ushtria kineze nisi një stërvitje tjetër ushtarake në Ngushticën e Tajvanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Zhvillimin Ekonomik, Energji dhe Mjedis, Keith Krach zbarkoi në Tajvan të enjten në mbrëmje për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për ish-presidentin tajvanez, Lee Teng-hui, e cila do të mbahet të premten.

"SHBA-të nderojnë trashëgiminë e presidentit Lee duke vazhduar lidhjet tona të forta me Tajvanin dhe jetësimin e demokracisë së tij përmes vlerave të përbashkëta politike dhe ekonomike", thuhet në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Lee vdiq më 30 korrik të këtij viti.

Kjo është vizita e dytë e një zyrtari të profilit të lartë nga Washingtoni në Tajvan, të cilin Kina e pretendon si "provincën e saj të shkëputur" ndërsa Taipei këmbëngul në pavarësinë e tij që nga viti 1949. Të paktën 16 vende ose territore e njohin atë si të tillë dhe kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike me Taipein.

Në fillim të muajit të kaluar, sekretari amerikan i Shëndetësisë, Alex Azar bëri një vizitë zyrtare në Tajvan, vizita e nivelit më të lartë nga çdo zyrtar amerikan në 41 vitet e fundit që kur Washingtoni ndryshoi njohjen diplomatike të Kinës në vitin 1979.

Pas mbërritjes të Krach në Taipei, presidenti i Tajvanit, Tsai Ing-wen shkroi në Twitter: "Mirësevini në Tajvan, Keith Krach. Ne ju vlerësojmë juve dhe delegacionin tuaj që keni ardhur në këtë mënyrë për t'i bërë nderimet tuaja ish-presidentit tonë të dashur Lee. Ne e çmojmë lidhjen tonë të fortë me SHBA-të ashtu siç bëri presidenti Lee dhe shpresojmë për një bashkëpunim me ju për të forcuar marrëdhëniet tona".

Tensionet midis SHBA-së dhe Kinës janë rritur pasi presidenti amerikan, Donald Trump akuzoi Pekinin për tregti të çekuilibruar, duke shkaktuar rritje të vazhdueshme të tarifave nga të dyja palët.

Pandemia e COVID-19 thelloi edhe më tej akuzat e Washingtonit kundër Pekinit, duke e akuzuar këtë të fundit për fshehjen e informacioneve në kohë reale në lidhje me virusin vdekjeprurës i cili u raportua për herë të parë në qytetin Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar.

Kina fillon stërvitjen ushtarake të luftës reale

Përderisa zyrtari amerikan zbarkoi në Tajvan, ushtria e Kinës njoftoi fillimin e një "stërvitjeje ushtarake të luftës së vërtetë" të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze pranë Ngushticës së Tajvanit.

Ren Guoqiang, përfaqësues i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, tha për agjencinë e lajmeve Xinhua se stërvitja "është një veprim i domosdoshëm që synon situatën aktuale në Ngushticën e Tajvanit për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial".

Ndërkohë, në New York, Kina protestoi kundër një takimi dreke midis një përfaqësuesi të SHBA-së në OKB dhe zyrtarit të lartë të Tajvanit.

Zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, Geng Shuang tha se: "Çështja e Tajvanit i referohet interesave thelbësore të Kinës dhe Kina kërkon nga SHBA të kuptojnë qartë ndjeshmërinë dhe t'i përmbahen politikës një-Kinë në mënyrë që të mos krijojnë pengesa të reja në lidhjet Kinë-SHBA", raportoi e përditshmja "Global Times".

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Kelly Craft, pati një takim dreke të mërkurën me James KJ Lee, drejtorin e Zyrës Ekonomike dhe Kulturore të Taipeit në New York.

James e quajti takimin "historik" dhe një hap tjetër në fushatën e administratës Trump për të forcuar marrëdhëniet me ishullin vetëqeverisës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.