Politikë

Udhëheqësit e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait zotohen të rrisin bashkëpunimin në siguri dhe ekonomi

- Mes tarifave të SHBA-së, të cilat kanë tronditur tregjet ndërkombëtare, udhëheqësit e SCO-së shprehën mbështetje për sistemin tregtar shumëpalësh.

Riyaz Khaliq Khaliq  | 01.09.2025 - Përdıtësım : 01.09.2025
Udhëheqësit e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait zotohen të rrisin bashkëpunimin në siguri dhe ekonomi

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Udhëheqësit e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) miratuan 24 dokumente për të forcuar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe shkëmbime kulturore, transmeton Anadolu.

Dokumentet u miratuan në samitin e liderëve të SCO-së në qytetin portual të Kinës veriore, Tianjin.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping priti samitin dyditor të udhëheqësve të SCO-së si dhe "SCO plus", duke mbledhur së bashku rreth 20 krerë shtetesh dhe qeverish, përveç udhëheqësve të organizatave ndërkombëtare.

Kjo është mbledhja më e madhe e SCO-së, si dhe hera e pestë e organizuar nga Kina që nga formimi i bllokut në vitin 2001.

Udhëheqësit miratuan një Strategji 10-vjeçare për Zhvillimin e SCO-së deri në vitin 2035 e cila "përcakton detyrat prioritare dhe drejtimet kryesore për thellimin e bashkëpunimit shumëplanësh në interes të sigurimit të paqes dhe stabilitetit, zhvillimit dhe prosperitetit në hapësirën e SCO-së", thuhet në deklaratën e përbashkët, të quajtur Deklarata e Tianjin-it.

Mes tarifave të SHBA-së, të cilat kanë tronditur tregjet ndërkombëtare, udhëheqësit e SCO-së shprehën mbështetje për sistemin tregtar shumëpalësh. Ata shënuan 80-vjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore dhe të themelimit të OKB-së, shtoi deklarata.

SCO u shndërrua nga mekanizmi "Pesëshja e Shangait" që përfshinte Kinën, Rusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Taxhikistanin përpara se Uzbekistani t'i bashkohej si anëtari i gjashtë. Sot, ajo përfshin 10 shtete anëtare, dy vëzhgues dhe 14 partnerë dialogu në të gjithë Azinë, Evropën dhe Afrikën.

Laosi u pranua si partneri i 15-të i dialogut në Samitin e Tianjin të hënën.

Organizata mbulon afërsisht 24 për qind të sipërfaqes tokësore globale dhe 42 për qind të popullsisë së botës, me shtetet anëtare që përbëjnë afërsisht një të katërtën e PBB-së globale dhe tregtinë që është rritur gati 100-fish në dy dekada.

Tregtia e Kinës me anëtarët e SCO-së, vëzhguesit dhe partnerët e dialogut arriti një rekord prej 890 miliardë dollarësh në vitin 2024 ose 14,4 për qind të tregtisë së saj të jashtme totale.

Samiti i mëparshëm i liderëve të SCO-së u mbajt në Kazakistan në korrik 2024, ku u miratuan 25 dokumente strategjike që mbulojnë energjinë, sigurinë, financat dhe sigurinë e informacionit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.