Politikë

Türkiye dërgon zyrtarë të lartë në Irak për bisedime mbi sigurinë dhe përpjekjet kundër terrorizmit

Takimi do të fokusohet në sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak, përveç çrrënjosjes së grupit terrorist PKK në Irak, një objekt kryesor i vendosur nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan

Emre Başaran  | 14.03.2024 - Përdıtësım : 14.03.2024
Türkiye dërgon zyrtarë të lartë në Irak për bisedime mbi sigurinë dhe përpjekjet kundër terrorizmit

Istanbul

Tre zyrtarë të lartë turq do të marrin pjesë në një samit të sigurisë me zyrtarët irakianë në Bagdad, raporton Anadolu.

Takimi, ku nga pala turke do të marrin pjesë ministri i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ministri i Mbrojtjes, Yaşar Güler dhe kreu i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT), İbrahim Kalın, do të fokusohet në sigurinë dhe bashkëpunimin ushtarak, përveç çrrënjosjes së grupit terrorist PKK në Irak, një objekt kryesor i vendosur nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Në takim pritet që të dyja palët të diskutojnë për zhvillimin e një mirëkuptimi të përbashkët për luftën kundër terrorizmit dhe marrjen e hapave konkrete në këtë drejtim.

Sot, sipas burimeve diplomatike turke, Fidan u nis për në kryeqytetin Bagdad për të marrë pjesë në takimin e sigurisë në nivel ministror. Fidan fluturoi paraditen e sotme nga aeroporti Esenboğa i Ankarasë.

Türkiye po ashtu planifikon të zhvillojë marrëdhëniet e saj me Bagdadin përmes Projektit të Rrugës së Zhvillimit Türkiye-Irak.

Me zbatimin e këtij projekti, Iraku synon të shkurtojë kohën e udhëtimit midis Azisë dhe Evropës përmes Türkiyes me Portin e Madh Faw, respektivisht me fazën e parë të Projektit të Rrugës së Zhvillimit.

Hekurudha dhe autostrada 1.200 kilometra e projektit do të lidhin portin, i cili synohet të jetë porti më i madh në Lindjen e Mesme dhe i cili është planifikuar të përfundojë në vitin 2025 deri në kufirin turk me një kosto të parashikuar prej 17 miliardë dollarësh.

Çështjet e energjisë gjithashtu do të diskutohen në samitin e sigurisë në Bagdad. Në këtë kontekst, do të vlerësohet zhvillimi i burimeve të gazit natyror në Irak dhe dërgimi i tyre në tregjet ndërkombëtare, si dhe rifillimi i operacioneve të tubacionit të naftës Irak-Türkiye.

Presidenti Erdoğan pritet të vizitojë Irakun në muajin prill.

Pas përfundimit të kontakteve në Irak, ministri Fidan sot më vonë pritet të niset për në Baku të Azerbajxhanit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.