Trump: SHBA-ja kreu sulme ajrore mbi objektivat e DEASH-it në Nigeri
"Me urdhrin tim si komandant i përgjithshëm, SHBA-ja nisi një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër mbetjeve terroriste të DEASH-it në veriperëndim të Nigerisë", tha Trump
Stamboll
Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se SHBA-ja ka kryer sulme "të fuqishme dhe vdekjeprurëse" kundër objektivave të DEASH-it në veriperëndim të Nigerisë, transmeton Anadolu.
"Me urdhrin tim si komandant i përgjithshëm, SHBA-ja nisi një sulm të fuqishëm dhe vdekjeprurës kundër mbetjeve terroriste të DEASH-it në veriperëndim të Nigerisë, të cilët kanë shënjestruar dhe kanë vrarë mizorisht, kryesisht të krishterë të pafajshëm, në nivele që nuk janë parë prej shumë vitesh, madje as prej shekujsh", tha Trump në platformën e tij Truth Social.
"I kam paralajmëruar më herët këta terroristë se, nëse nuk do të ndalojnë masakrimin e të krishterëve, do të ketë pasoja të rënda dhe sonte ato ndodhën. Departamenti i Luftës, tha Trump, ekzekutoi disa sulme të përsosura, "ashtu siç vetëm SHBA-ja është e aftë ta bëjë".
"Zoti e bekoftë ushtrinë tonë dhe gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, përfshirë terroristët e vrarë, të cilët do të jenë edhe shumë më tepër nëse masakrimi i tyre ndaj të krishterëve vazhdon", shtoi ai.
Komanda e SHBA-së për Afrikën (AFRICOM) në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X tha se sulmet u kryen "me kërkesë të autoriteteve nigeriane" në shtetin Sokoto, duke "vrarë disa terroristë të DEASH-it".
"Sulmet vdekjeprurëse kundër DEASH-it demonstrojnë forcën e ushtrisë sonë dhe përkushtimin tonë për të eliminuar kërcënimet terroriste kundër amerikanëve brenda vendit dhe jashtë tij", shtoi komanda.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth komentoi gjithashtu mbi sulmet.
"Presidenti ishte i qartë muajin e kaluar, vrasja e të krishterëve të pafajshëm në Nigeri (dhe gjetkë) duhet të marrë fund. Departamenti i Luftës është gjithmonë gati, kështu që DEASH-i e mësoi këtë sonte, në Krishtlindje. Do të ketë më shumë. Mirënjohës për mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë nigeriane. Gëzuar Krishtlindjet", tha ai në X.
