Trump në prag të zgjedhjeve mbështet kandidaturën për rizgjedhje të kryeministrit hungarez Orban
“Isha krenar ta mbështes Viktorin për rizgjedhje në vitin 2022 dhe jam i nderuar ta bëj këtë sërish”, tha Trump
Washington
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka theksuar mbështetjen e tij për kandidaturën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, për rizgjedhje përpara zgjedhjeve të vendit më 12 prill, duke e lavdëruar atë si një udhëheqës “të fuqishëm”, transmeton Anadolu.
“Isha krenar ta mbështes Viktorin për rizgjedhje në vitin 2022 dhe jam i nderuar ta bëj këtë sërish”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump ia atribuoi Orbanit forcimin e marrëdhënieve mes Hungarisë dhe SHBA-së, duke theksuar se bashkëpunimi dypalësh ka “arritur nivele të reja bashkëpunimi dhe suksese të jashtëzakonshme nën administratën time, kryesisht falë kryeministrit Orban”.
Presidenti amerikan tha se pret të vazhdojë të punojë ngushtë me kryeministrin hungarez edhe në të ardhmen.
Orbani prej kohësh ka qenë një figurë e preferuar për Trumpin dhe Partinë Republikane, të cilët e kanë ftuar atë në tubime politike konservatore dhe janë zotuar të ndjekin stilin e tij të qeverisjes.
- Trump mbështet edhe kryeministren japonez përpara zgjedhjeve të së dielës
Trump po ashtu mbështeti kryeministren japoneze, Sanae Takaichi, përpara zgjedhjeve legjislative të së dielës.
"Kryeministrja Takaichi është dikush që meriton njohje të fuqishme për punën që ajo dhe koalicioni i saj po bëjnë dhe për këtë arsye si president i SHBA-së është nderi im t'i jap një mbështetje të plotë asaj dhe asaj që përfaqëson koalicioni i saj shumë i respektuar", shkroi Trump.
Ai e vlerësoi Takaichi, e cila mori detyrën tetorin e kaluar, si një udhëheqëse “të fuqishme dhe të mençur”.
"Pres me padurim të mirëpres kryeministren Takaichi në Shtëpinë e Bardhë më 19 mars”, shtoi ai.
Mbështetja e një kandidati në zgjedhje të huaja dikur konsiderohej si tejkalim i një vije të kuqe në politikën amerikane, por kjo është një tjetër normë që Trump e ka përmbysur.
