Trump njofton tarifë prej 35 për qind për Kanadanë nga 1 gushti
- Presidenti amerikan Trump tha se nuk do të ketë tarifa nëse Kanadaja ose kompanitë me seli në Kanada zgjedhin të ndërtojnë ose prodhojnë produktet e tyre brenda SHBA-së

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar se administrata e tij do të vendosë një tarifë prej 35 për qind për mallrat e importuara nga Kanadaja duke filluar nga 1 gushti, transmeton Anadolu.
Trump përshkroi arsyet e tij për rritjen e madhe të tarifave në një letër zyrtare të postuar në platformën "Truth Social".
"Është një nder i madh për mua t'ju dërgoj këtë letër, pasi ajo tregon pikat e forta dhe angazhimet e marrëdhënies sonë tregtare si dhe faktin që SHBA-ja ka rënë dakord të vazhdojë të punojnë me Kanadanë, pavarësisht se Kanadaja ka ndërmarrë hakmarrje financiare kundër SHBA-së", tha Trump në letrën drejtuar kryeministrit kanadez, Mark Carney.
"Siç e mbani mend, SHBA-ja vendosi tarifa ndaj Kanadasë për t'u marrë me krizën e fentanilit në kombin tonë, e cila është shkaktuar pjesërisht nga dështimi i Kanadasë për të ndaluar drogat që hyjnë në vendin tonë", shtoi ai.
Trump tha se Kanadaja u përgjigj me tarifat e veta në vend që të punojë me SHBA-në, duke theksuar se tarifa prej 35 për qind do të jetë e ndarë nga të gjitha tarifat sektoriale. Ai shtoi se mallrat e transportuara për të shmangur tarifën më të lartë do t'i nënshtrohen tarifave të rritura.
Presidenti amerikan tha se nuk do të ketë tarifa nëse Kanadaja ose kompanitë me seli në Kanada zgjedhin të ndërtojnë ose prodhojnë produktet e tyre brenda SHBA-së, duke shtuar se do të bëhet çdo përpjekje për të siguruar që miratimet të jepen "shpejt, profesionalisht dhe në mënyrë rutinore, me fjalë të tjera, brenda pak javësh".
"Nëse Kanadaja vendos për më shumë tarifa", theksoi Trump, çfarëdo norme që vendos do të shtohet përveç "35 për qind që ne ngarkojmë".
"Fluksi i fentanilit nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet SHBA-ja me Kanadanë", tha Trump duke shtuar se Kanadaja mban politika të shumta tarifore dhe jo-tarifore dhe barriera tregtare që kontribuojnë në deficite tregtare të paqëndrueshme me SHBA-në.
Sipas tij, tarifat kanadeze për produktet e qumështit të SHBA-së mund të arrijnë deri në 400 për qind dhe kjo duke supozuar se fermerëve amerikanë të qumështit u lejohet të hyjnë në tregun kanadez. Ai tha se ky çekuilibër tregtar përbën "kërcënim të madh" për ekonominë dhe për sigurinë kombëtare të SHBA-së.