Trump lë hapur mundësinë për bisedime me Maduron e Venezuelës
"Nëse mund të shpëtojmë jetë, nëse mund t'i bëjmë gjërat në mënyrën e lehtë, kjo është në rregull. Nëse duhet ta bëjmë në mënyrën e vështirë, kjo është gjithashtu në rregull", tha Trump
Washington DC
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se mbetet i hapur për të biseduar me presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, pavarësisht vendimit të fundit të Washingtonit për ta shpallur atë si udhëheqës të një organizate të huaj terroriste, transmeton Anadolu.
"Do të shohim, por po diskutojmë", tha Trump në bordin e 'Air Force One' teksa udhëtonte nga Washingtoni për në Florida për festën e Falënderimeve, i pyetur nga gazetarët nëse do të bisedojë me Maduron.
I pyetur nëse ende dëshiron të bisedojë me Maduron pavarësisht se e shpalli atë si udhëheqës të një organizate të huaj terroriste, Trump u përgjigj: "Nëse mund të shpëtojmë jetë, nëse mund t'i bëjmë gjërat në mënyrën e lehtë, kjo është në rregull. Nëse duhet ta bëjmë në mënyrën e vështirë, kjo është gjithashtu në rregull".
I pyetur për qëllimet e tij në ndonjë bisedim të mundshëm, ai sugjeroi se përgjigja ishte e qartë. "Ndoshta duhet ta dini se cili është qëllimi. Ata kanë shkaktuar shumë probleme dhe kanë dërguar miliona njerëz në vendin tonë", tha ai.
Trump pretendon se Venezuela ka qenë "abuzuesi më i madh" midis vendeve të cilat, sipas administratës amerikane, transferuan kriminelë në SHBA. "Ata dërguan trafikantët e drogës, baronët e drogës, të burgosurit. Ata hapën burgjet e tyre dhe i hodhën në SHBA dhe ne nuk jemi të kënaqur me këtë", tha Trump.
Të hënën, SHBA-ja e shpalli zyrtarisht organizatën "Cartel de los Soles" me bazë në Venezuelë si një organizatë të huaj terroriste (FTO).
Tensionet midis SHBA-së dhe Venezuelës kanë qenë në rritje që kur Trump në muajin gusht urdhëroi vendosje ushtarake në Karaibe, me qëllim sulmin ndaj karteleve të drogës dhe ndalimin e rrugëve të trafikimit të drogës, të cilat janë të lidhura me Maduron.
Karakasi pohon se ajo që kërkohet është ndryshimi i regjimit.
Që nga fillimi i muajit shtator, ushtria amerikane ka kryer gjithsej 21 sulme ndaj anijeve që pretendonte se ishin të ngarkuara me drogë, duke vrarë të paktën 83 persona. Trump ka sinjalizuar se ai mund të sulmojë objektiva të dyshuara të trafikimit të drogës në terren në Venezuelë.
