Trump kritikon ashpër aleatët e NATO-s për refuzimin ndaj luftës me Iranin
“SHBA është informuar nga shumica e ‘aleatëve’ tanë të NATO-s se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak kundër regjimit terrorist të Iranit”, tha Trump
Hamilton
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar ashpër aleatët e NATO-s për refuzimin e tyre për t’iu bashkuar operacionit ushtarak të Washingtonit kundër Iranit, duke pretenduar se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e asnjë vendi, transmeton Anadolu.
“SHBA është informuar nga shumica e ‘aleatëve’ tanë të NATO-s se nuk duan të përfshihen në operacionin tonë ushtarak kundër regjimit terrorist të Iranit”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se kjo ndodh “pavarësisht faktit se pothuajse çdo vend ishte plotësisht dakord me atë që po bëjmë”.
Trump tha se nuk ishte i “befasuar”, duke theksuar se “gjithmonë e kam konsideruar NATO-n, ku ne shpenzojmë qindra miliarda dollarë çdo vit për të mbrojtur këto vende, si një rrugë njëkahëshe, ne i mbrojmë ata, por ata nuk bëjnë asgjë për ne, veçanërisht në një kohë nevoje”.
Presidenti amerikan pretendoi sukses të gjerë ushtarak kundër Iranit.
“Flota e tyre detare është zhdukur, forcat ajrore janë zhdukur, mbrojtja kundërajrore dhe radarët janë zhdukur dhe ndoshta më e rëndësishmja, udhëheqësit e tyre, pothuajse në çdo nivel, janë zhdukur, për të mos na kërcënuar më kurrë neve, aleatët tanë në Lindjen e Mesme apo botën”.
Ai tha se për shkak të këtyre sukseseve ushtarake, SHBA-ja “nuk ka më nevojë” apo dëshirë për ndihmën e vendeve të NATO-s, duke u shprehur më tej se “ne kurrë nuk e kemi pasur”, si dhe as për atë të Japonisë, Australisë apo Koresë së Jugut.
“Nuk kemi nevojë për ndihmën e askujt”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
