Politikë

Trump do të vendosë nëse do ta godasë Iranin “brenda 2 javësh”

- "Bazuar në faktin se ekziston një mundësi e konsiderueshme për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim nëse do të hyj apo jo brenda dy javëve të ardhshme", tha Trump

Michael Gabriel Hernandez  | 19.06.2025 - Përdıtësım : 20.06.2025
Trump do të vendosë nëse do ta godasë Iranin “brenda 2 javësh”

Washington DC

WASHINGTON (AA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të marrë një vendim nëse do të kryejë apo jo sulme ndaj Iranit brenda dy javësh, transmeton Anadolu.

"Bazuar në faktin se ekziston një mundësi e konsiderueshme për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, unë do të marr vendimin tim nëse do të hyj apo jo brenda dy javëve të ardhshme", tha Trump në një deklaratë të lexuar me zë të lartë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

"Askush nuk duhet të habitet nga qëndrimi i presidentit se Irani absolutisht nuk mund të sigurojë një armë bërthamore. Ai ka qenë i qartë për këtë për dekada të tëra. Kjo është arsyeja pse ai ka dhënë liri të madhe veprimi dhe ka bërë shumë përpjekje për të arritur një zgjidhje diplomatike, por ai ka qenë shumë i qartë”, u tha Leavitt gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo pohoi se Irani "ka gjithçka që i nevojitet për të arritur një armë bërthamore, e tëra çfarë u duhet është një vendim nga lideri suprem për ta bërë këtë dhe do të duheshin disa javë për të përfunduar prodhimin e asaj arme".

Ajo gjithashtu tha se duke vepruar kështu "do të përbënte një kërcënim ekzistencial jo vetëm për Izraelin, por për SHBA-në dhe për të gjithë botën".

"Kjo është diçka me të cilën e gjithë bota, përfshirë vendet si Rusia, është dakord, se Irani nuk duhet dhe nuk mund të sigurojë një armë bërthamore", tha ajo.

Irani ka mohuar se kërkon të sigurojë një armë bërthamore.

Leavitt konfirmoi raportet e mëparshme se i dërguari special i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, kanë folur pasi Izraeli filloi sulmet kundër Iranit të premten e kaluar, duke u përgjigjur një pyetjeje në lidhje me bisedimet.

"Sa i përket korrespondencës midis SHBA-së dhe iranianëve, mund të konfirmoj se korrespondenca ka vazhduar", tha ajo.

"Siç e dini, ne ishim të angazhuar në gjashtë raunde negociatash me ta, si në mënyra indirekte ashtu edhe në ato të drejtpërdrejta", shtoi ajo.

Negociatat filluan në prill dhe ishin planifikuar të vazhdojnë të dielën e kaluar, por sulmet e Izraelit më 13 qershor ndaj objekteve bërthamore të Iranit, lokacioneve ushtarake, shkencëtarëve bërthamorë dhe zyrtarëve të lartë e çuan Teheranin të anulojë takimin dhe të nisë sulme hakmarrëse.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet iraniane me raketa, ndërkohë sipas raportimeve të mediave iraniane, të paktën 639 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Iran.

Afati kohor dy-javor i Trumpit vjen derisa ministrat e jashtëm nga Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar planifikojnë të takohen me homologun e tyre iranian këtë javë për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për konfliktin Izrael-Iran.

Sipas agjencisë së lajmeve DPA, e cila citon burime diplomatike gjermane ata pritet të takohen me ministrin Araghchi nesër në Gjenevë, por detaje shtesë nuk janë dhënë.

Leavitt tha se ajo "nuk e ndjek këtë në orarin e udhëtimit të z. Witkoff, por sigurisht që mund të kontaktoj me të për t'u siguruar".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın