Trump do të njoftojë marrëveshjen fillestare të paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë
Presidenti i SHBA-së do të presë në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan

Washington DC
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të njoftojë të premten një marrëveshje paqeje mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, raportoi “CBS News”, transmeton Anadolu.
Trump do të presë në Shtëpinë e Bardhë presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev dhe kryeministrin armen Nikol Pashinyan, ku ata do të marrin pjesë në evente në Zyrën Ovale dhe në Sallën Shtetërore të Darkave, sipas burimeve të njohura me çështjen.
Armenia synon të njoftojë të drejtat amerikane të zhvillimit mbi një korridor transit prej 43 kilometrash që do të quhet “Rruga Trump për Paqen dhe Prosperitetin Ndërkombëtar”, i cili do të ndihmojë në sigurimin e aksesit drejt Perëndimit, kanë thënë dy burime, tha media amerikane.
Aliyev dhe Pashinyan u takuan muajin e kaluar në Abu Dabi, ku diskutuan përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dhe ranë dakord të vazhdojnë negociatat dhe masat për ndërtimin e besimit.
Trump tha në një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Zyrën Ovale muajin e kaluar se përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit duket se po lëvizin drejt një “përfundimi të suksesshëm.”
Marrëdhëniet mes dy republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene okupoi Karabakun – një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit – dhe shtatë rajone përreth.
Shumica e territorit u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore në vjeshtën e vitit 2020, që përfundoi pas një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila hapi rrugën për normalizim dhe bisedime për demarkacion.
Në shtator 2023, Azerbajxhani vendosi sovranitet të plotë në Karabak pas dorëzimit të forcave separatiste në rajon.
Në mars, dy vendet deklaruan arritjen e një konsensusi mbi të 17 nenet e marrëveshjes së paqes, megjithëse ajo ende nuk është nënshkruar.