Politikë

Spanja përsërit thirrjen për zgjidhje me dy shtete për të siguruar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme

Albares tha se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme do të ishte e mundshme vetëm përmes zbatimit të zgjidhjes me dy shtete

Burak Bir, Şenhan Bolelli  | 28.11.2025 - Përdıtësım : 28.11.2025
Spanja përsërit thirrjen për zgjidhje me dy shtete për të siguruar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme

Londër

Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka përsëritur mbështetjen e vendit të tij për një zgjidhje me dy shtete, duke theksuar se ajo mbetet e vetmja rrugë për të siguruar paqe të qëndrueshme midis izraelitëve dhe palestinezëve, transmeton Anadolu.

Duke folur në Forumin e 10-të Rajonal të Unionit për Mesdheun në Barcelonë, Albares tha se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme në Lindjen e Mesme do të ishte e mundshme vetëm përmes zbatimit të zgjidhjes me dy shtete.

"Koha është t'i jepen fund kaq shumë vuajtjeve dhe të ndërtohet një paqe e qëndrueshme", tha ai, duke shtuar se plani amerikan për armëpushimin në Gaza dhe Rezoluta 2803 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së shërbejnë si korniza udhëzuese për zbatimin e një zgjidhje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Kjo, theksoi ai, është e "vetmja" mundësi që mund të rikthejë paqen dhe sigurinë për të gjithë popujt e Lindjes së Mesme.

Shefi i diplomacisë spanjolle këto komente i bëri në fjalën e tij para të pranishmëve të forumit, i cili po zhvillohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive të jashtme të 43 vendeve, përfshirë 27 anëtarët e BE-së dhe 16 vendet bregdetare të Mesdheut.

Ministri jordanez i Punëve të Jashtme, Ayman Safadi, nga ana e tij, kritikoi Izraelin për "refuzimin e njohjes së ligjit ndërkombëtar dhe qëndrimin e pandëshkuar" pavarësisht gjenocidit në Gaza.

"Nuk mund të vazhdojmë të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë", tha ai, duke theksuar po ashtu se Izraeli duhet të tërhiqet nga territori libanez.

Turqia në këtë forum u përfaqësua nga zv.ministri i Punëve të Jashtme, Mehmet Kemal Bozay.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.