Politikë

"Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta"

Rama theksoi se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë një fqinjësi pa asnjë çështje të hapur, që sipas tij është një fqinjësi e garantuar më së miri nga pakicat përkatëse

Fatjon Cuka  | 03.07.2018 - Përdıtësım : 04.07.2018
"Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta" Foto: AA Arkivë

Tiranë

SHKODËR (AA) - Në qytetin e Shkodrës është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa mes dy vendeve janë nënshkruar edhe disa marrëveshje bashkëpunimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas mbledhjes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij malazez, Dushko Markoviç, mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku u fokusuan në disa çështje si në bashkëpunimin mes dy vendeve, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), çështjen e refugjatëve, etj.

- "Dy vendet kanë një fqinjësi pa asnjë çështje të hapur"

Rama tha se mbledhja e sotme është përpjekje e përbashkët për të çuar në një standard të avancuar marrëdhëniet mes dy vendeve, që përbëjnë sipas tij, një bazë shumë të fortë për të "adresuar me më shumë efikasitete potencialin e jashtëzakonshëm në hapësirën që na bashkon".

"Sot kemi vendosur disa piketa të rëndësishme në funksion të adresimit të këtij potenciali duke garantuar rrugën e thellimit të bashkëpunimit tonë, si në rrafshin bilateral ashtu edhe në planin rajonal dhe evropian. Jemi krenar që kemi dhënë kontributin tonë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe sot Mali i Zi është shembulli i pamohueshëm i forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë. Nga ana tjetër, ne tanimë kemi hyrë në një fazë të re sa i përket rrugës tonë të integrimit në BE me marrjen e një date për çeljen e negociatave zyrtarisht dhe me fillimin e një procesi përgatitor për negociatat. Jemi shumë të angazhuar dhe do të punojmë konkretisht për të avancuar procesin e lehtësimit të shkëmbimeve tregtare me reduktimin maksimal barrierave jo tarifore", tha kryeministri i Shqipërisë.

Rama theksoi se dy vendet kanë një fqinjësi pa asnjë çështje të hapur, që sipas tij është një fqinjësi e garantuar më së miri nga pakicat përkatëse.

"Më vjen shumë mirë që edhe në raport me rajonin edhe në raport me proceset e tjera brenda rajonit, dhe do të sillja ndërmend dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kemi një qasje tërësisht të unifikuar, kemi mbështetur dhe mbështesim fuqimisht ecurinë e këtij dialogu. Mbetemi shumë të lidhur edhe në përpjekjen për të konkretizuar programin e investimeve të procesit të Berlinit, ku jemi së bashku në përgatitjen për të nisur një prej investimeve më të mëdha në infrastrukturë, që është Autostrada e Kaltër, apo Adriatiko Joniane", tha Rama.

Rama duke folur për çështjen e refugjatëve, tha se kurrë nuk do të pranojnë të hapin kampe për të sjellë në Shqipëri emigrantë të cilët, sipas tij, refuzohen në vendet e pasura të BE-së.

- "Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta"

Ndërsa kryeministri malazez, Dushko Markoviç, tha se dy qeveritë kanë pasur një takim historik dhe se mbledhja ka patur për objektiv të vërtetojë jo vetëm raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë, por të trajtohet edhe perspektiva në fushat e ndryshme.

"Mali i Zi dhe Shqipëria historikisht kanë raporte të mira fqinjësore dhe nuk kanë pasur sfida mes tyre, probleme dhe as konflikte. Kjo është pozita më e mirë për të krijuar të ardhmen për dy vendet. Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë vlera të përbashkëta. Raportet tona ndërshtetërore i shndërrojmë në aktivitete të përbashkëta në familjen euro-atlantike. Mali i Zi mbetet i hapur me të gjitha potencialet që ta mbështesë Shqipërinë që procesin i negociatave ta përfundojë sa më shpejt. Vlera më e madhe janë njerëzit që jetojnë në vendet tona. Në Malin e Zi, shqiptarët jetojnë në një mënyrë që e duan vendin e vet", tha kryeministri i Malit të Zi.

Markoviç tha se marrëveshjet e nënshkruara janë hapa konkretë për avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve,

"Kur bëhet fjalë për Malin e Zi, për sa i përket emigracionit asgjë nuk po ndodh, nuk po ndodh ndonjë gjë e re në krahasim me vitin 2015. Fluksi i madh migrator nuk e ka kapur Malin e Zi. Mali i Zi dhe Shqipëria kanë një qasje të përgjegjshme. Ne nuk parashikojmë as vënien e gardheve as vendosjen e kampeve", tha më tej kryeministri malazez.

Ndërkohë në kuadër të mbledhjes së përbashkët qeveritare është mbajtur edhe forumi i përbashkët i biznesit mes dy vendeve.

Mes dy vendeve janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi në fushën për ndihmën e ndërsjellë në emergjenca, operacionet ndërkufitare të patrullimit ajror, për hapjen e pikës së përbashkët kufitare dhe për menaxhimin e burimeve ujore ndërkufitare.

Gjithashtu është nënshkruar edhe deklarata e përbashkët ndërmjet kryeministrit Rama dhe homologut të tij malazez, në kuadër të takimit të parë ndërqeveritar Shqipëri - Mali i Zi.

Kujtomë se më parë janë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta qeveritare Shqipëri-Kosovë, ndërsa vitin e kaluar u mbajt edhe mbledhja e përbashkët qeveritare mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın