Shefja e Komisionit të BE-së i kërkon Izraelit të rishqyrtojë vendimin e tij për të pushtuar Gazën
Ursula von der Leyen bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe qasje të papenguar për ndihmën humanitare

Bruksel
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Izraelit që të rishqyrtojë vendimin për të okupuar Qytetin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të zgjeruar më tej operacionin ushtarak në Gaza duhet të rishqyrtohet”, shkroi von der Leyen në X.
Ajo përsëriti gjithashtu nevojën urgjente për armëpushim, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe qasjen e pakufizuar të ndihmës humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.
“Nevojitet një armëpushim tani”, shtoi ajo.
Të enjten, Kabineti i Sigurisë i Izraelit miratoi gjithashtu pesë parime kyç për përfundimin e luftës: shkatërrimi i grupit palestinez Hamas, sigurimi i kthimit të të gjithë pengjeve – si të gjallë ashtu edhe të vdekur – çmilitarizimi i Rripit të Gazës, sigurimi i “kontrollit të sigurisë” izraelite mbi zonën, dhe themelimi i një qeverie civile që nuk udhëhiqet as nga Hamasi dhe as nga Autoriteti Palestinez.
Ky operacion i ri i Izraelit, që pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj, vjen pavarësisht zemërimit në rritje ndaj luftës shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë së përgjithshme.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.