Politikë

Shefja e Komisionit Evropian mbështet sanksione më të ashpra ndaj Rusisë ndërsa paketa e 18-të po afrohet

- “Të gjithë e dimë se Putin nuk dëshiron paqe, prandaj duhet ta vëmë nën presion që të ulet në tryezën e negociatave. Paketa e 18-të e sanksioneve po godet në zemër të ekonomisë së luftës së Rusisë”, tha von der Leyen

Melike Pala  | 03.07.2025 - Përdıtësım : 03.07.2025
Shefja e Komisionit Evropian mbështet sanksione më të ashpra ndaj Rusisë ndërsa paketa e 18-të po afrohet

Bruksel

BRUKSEL (AA) - Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) që të rrisin presionin ndaj Rusisë përmes sanksioneve dhe mbështetjes së mbrojtjes për Ukrainën, duke theksuar se paketa e 18-të e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë është pranë përfundimit, transmeton Anadolu.

Duke folur në qytetin Aarhus, së bashku me kryeministren daneze, Mette Frederiksen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, von der Leyen përshëndeti presidencën e radhës të Danimarkës.

“Si arritjen tuaj të parë, mund ta çoni paketën e 18-të deri në fund. Jam e bindur se kjo është e mundur. Të gjithë e dimë se Putin nuk dëshiron paqe, prandaj duhet ta vëmë nën presion që të ulet në tryezën e negociatave. Paketa e 18-të e sanksioneve po godet në zemër të ekonomisë së luftës së Rusisë”, tha von der Leyen.

Ajo gjithashtu ri-theksoi mbështetjen ushtarake të BE-së, duke premtuar 2 milionë predha artilerie për Ukrainën deri në fund të vitit 2025 dhe 2.1 miliardë euro ndihmë të re mbrojtëse, e financuar nga fitimet e jashtëzakonshme nga asetet e ngrira ruse.

“Në praktikë, Rusia po paguan për armët që po përdor Ukraina”, tha ajo.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për një veto të mundshme mbi anëtarësimin e Ukrainës në BE, von der Leyen tha se procesi mbetet i “bazuar në meritë” dhe jo politik.

“Ukraina i ka të gjitha meritat për të hapur klasterin e parë. Prandaj, po zhvillohen bisedime intensive në këtë drejtim”, tha ajo.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nga ana e tij, shprehu zhgënjimin për refuzimin e Rusisë për t’u angazhuar në përpjekjet për paqe.

“Derisa presidenti Zelenskyy ka rënë dakord për një armëpushim pa kushte, Rusia jo vetëm që nuk ka pranuar, por po rrit intensitetin e agresionit ndaj Ukrainës”, tha ai.

Ndërkaq, kryeministrja daneze, Frederiksen, tha se presidenca daneze do të punojë për një “Evropë më të fuqishme dhe më vendimtare,” të gatshme për t’u përballur me kërcënimet në rritje.

“Është thënë se jetojmë në një epokë grabitqarësh. Në këtë epokë, Evropa nuk duhet të përfundojë si pre”, paralajmëroi ajo.

Ajo gjithashtu shprehu shpresën se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën.

“Por nëse ka ndonjë boshllëk, atëherë personalisht besoj se duhet të jemi të gatshëm ta mbushim atë”, shtoi ajo.

Deklaratat e përbashkëta vijnë derisa Danimarka fillon presidencën 6-mujore të Këshillit të BE-së, me Ukrainën, sigurinë, mbrojtjen, migracionin dhe konkurrueshmërinë si tema kryesore në agjendë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.