Politikë

Shefi i të drejtave i OKB-së: Mizoritë në El-Fasher të Sudanit mund të përsëriten në Kordofan

"Nga Darfuri dhe Kordofanet deri në Kartum, Omdurman e më tej, asnjë civil sudanez nuk ka mbetur i paprekur nga dhuna mizore dhe e pakuptimtë", tha Volker Turk

Beyza Binnur Dönmez  | 10.12.2025 - Përdıtësım : 11.12.2025
Shefi i të drejtave i OKB-së: Mizoritë në El-Fasher të Sudanit mund të përsëriten në Kordofan

Gjenevë

Shefi i të drejtave të njeriut i OKB-së (OHCHR) tha sot se është jashtëzakonisht i shqetësuar se mizoritë e kryera në qytetin sudanez El-Fasher, i cili ra nën kontrollin e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në fund të tetorit, mund të përsëriten në rajonin Kordofan, raporton Anadolu.

"Nga Darfuri dhe Kordofanet deri në Kartum, Omdurman e më tej, asnjë civil sudanez nuk ka mbetur i paprekur nga dhuna mizore dhe e pakuptimtë", tha Volker Turk para gazetarëve në Gjenevë. "Jam jashtëzakonisht i shqetësuar se mund të shohim në Kordofan një përsëritje të mizorive që janë kryer në El-Fasher", tha ai.

Të tre shtetet e Kordofanit – Verior, Perëndimor dhe Jugor kanë përjetuar javë të tëra luftimesh të ashpra midis ushtrisë dhe RSF-së, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen.

Nga 18 shtetet e Sudanit, RSF-ja kontrollon të pesë shtetet e rajonit të Darfurit në perëndim, përveç disa pjesëve veriore të Darfurit Verior që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ndërkohë ushtria mban shumicën e zonave në 13 shtetet e tjera në jug, veri, lindje dhe pjesën qendrore, përfshirë kryeqytetin Kartum.

Konflikti midis ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, i cili filloi në prill 2023, ka shkaktuar mijëra të vdekur dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. RSF-ja akuzohet për kryerjen e masakrave, torturave dhe ekzekutimeve jashtëgjyqësore në El-Fasher.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın