Politikë

SHBA paralajmëron se ekziston rrezik i lartë dhe real i pushtimit rus të Ukrainës

Blinken tha se takimi i tij me Lavrovin do të tregojë nëse Rusia dëshiron zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë

Ayhan Şimşek  | 21.01.2022 - Përdıtësım : 21.01.2022
SHBA paralajmëron se ekziston rrezik i lartë dhe real i pushtimit rus të Ukrainës

Berlin

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken ka paralajmëruar se ekziston ende një rrezik real i pushtimit rus të Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Rreziku është real, rreziku është i lartë”, deklaroi Blinken për transmetuesin publik gjerman ZDF, përpara takimit të tij me homologun rus Sergej Lavrov në Gjenevë sot.

“Rusia ka grumbulluar forca të konsiderueshme në kufirin e Ukrainës, 100 mijë trupa. Ajo vazhdon të dërgojë forca pranë Ukrainës, përfshirë së fundmi në Bjellorusi. Kështu që rreziku është shumë serioz”, tha ai.

Pas takimeve me udhëheqjen ukrainase në Kiev të mërkurën, Blinken u takua me homologët e tij gjermanë, francezë dhe britanikë në Berlin të enjten për të diskutuar zhvillimet më të fundit dhe masat e mundshme për të penguar agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Ai tha se SHBA-ja, aleatët dhe partnerët e saj janë të bashkuar dhe "flasin me një zë" për këtë çështje dhe çdo lëvizje ushtarake ruse në Ukrainë do të ketë "pasoja të rënda" për Rusinë.

Duke komentuar takimin e tij të ardhshëm me Lavrovin, Blinken tha se nuk "parashikon ndonjë përparim" në Gjenevë, por bisedimet do të tregojnë nëse Rusia është me të vërtetë e interesuar për një zgjidhje diplomatike të krizës.

“Do të kuptojmë më shumë nëse Rusia është vërtet e përkushtuar në përpjekjen për t'i zgjidhur këto dallime në mënyrë diplomatike përmes dialogut apo jo. Sido që të jetë, ne jemi të përgatitur dhe jemi të bashkuar”, tha ai.

Rusia mohon se po planifikon ndonjë sulm dhe në vend të kësaj ka shprehur shqetësimet e sigurisë, duke përfshirë moslejimin e vendeve ish-sovjetike që të anëtarësohen në NATO.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.