Politikë

SHBA konfirmon vrasjen e një shtetasi amerikan në Bregun Perëndimor, u bën thirrje autoriteteve izraelite të hetojnë

“Situata është e dhunshme. Ka pasur disa amerikanë që kanë humbur jetën në këtë realitet të ndërlikuar”, tha Bruce kur u pyet nëse SHBA i ka kërkuar Izraelit të hetojë rastin

Diyar Güldoğan  | 06.08.2025 - Përdıtësım : 06.08.2025
SHBA konfirmon vrasjen e një shtetasi amerikan në Bregun Perëndimor, u bën thirrje autoriteteve izraelite të hetojnë

Washington DC

Departamenti i Shtetit të SHBA-së konfirmoi se një tjetër shtetas amerikan është vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe i bëri thirrje Izraelit që të nisë një hetim, transmeton Anadolu.

“Situata është e dhunshme. Ka pasur disa amerikanë që kanë humbur jetën në këtë realitet të ndërlikuar”, tha para gazetarëve zëdhënësja e departamentit amerikan, Tammy Bruce, para gazetarëve, kur u pyet nëse SHBA i ka kërkuar Izraelit të hetojë rastin.

Khamis Ayyad, një palestinezo-amerikan, vdiq të enjten e kaluar nga asfiksia e shkaktuar nga tymi në fshatin Silwad në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor të pushtuar, pasi kolonët izraelitë i vunë zjarrin makinave dhe shtëpive.

“Prioriteti ynë i parë dhe nuk është një slogan, është siguria e amerikanëve kudo në botë”, theksoi Bruce.

Derisa detajet rreth vdekjes së Ayyad-it janë ende duke u sqaruar, Bruce tha se SHBA-ja i ka kërkuar Izraelit të hetojë.

“Ne i kemi bërë thirrje Izraelit që të hetojë, sigurisht, secilin nga këto raste”, shtoi ajo.

Sayfollah Musallet, një tjetër palestinezo-amerikan, u rrah për vdekje muajin e kaluar. Familja e tij tha se kolonët izraelitë të paligjshëm e rrethuan dhe nuk lejuan ambulancën dhe ndihmën mjekësore të arrinin për më shumë se tre orë. Ai ndërroi jetë para se të dërgohej në spital.

Musallet është shtetasi i shtatë amerikan që vritet në Bregun Perëndimor që nga janari i vitit 2022.

Ushtria izraelite dhe kolonët e paligjshëm kanë intensifikuar sulmet ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, vendeve të tyre të shenjta dhe pronave të tyre, duke vrarë të paktën 1.013 palestinezë dhe duke plagosur më shumë se 7 mijë persona.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.