Politikë

Ratifikohet marrëveshja për pikën e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi

Marrëveshja është nënshkruar me 3 korrik të këtij viti, dhe është iniciuar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis dy shteteve

Fatjon Cuka  | 01.11.2018 - Përdıtësım : 01.11.2018
Ratifikohet marrëveshja për pikën e përbashkët kufitare Shqipëri-Mali i Zi

Tiranë

TIRANË (AA) - Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme ratifikoi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e një pike të përbashkët kufitare mes dy vendeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Zogaj (Republika e Shqipërisë) – Skje (Mali i Zi) për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës”, u miratua me 74 vota pro të deputetëve të maxhorancës.

Projektligji i miratua pas diskutimeve në seancë ku pjesë e tyre ishte edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancë. Deputetët e opozitës vazhdojnë bojkotin parlamentar që prej muajt shtator, pasi insistojnë që të fillojë procesi i vetingut në politikë.

Gjatë fjalës në seancë, ministri Bushati tha se hapja e kësaj pike kufitare është e rëndësishme, sipas tij, jo vetëm lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, por edhe për ndërlidhjen e trevave shqipfolëse. Sipas Bushatit, me këtë pikë do të krijohet një akses shumë më i madh jo thjesht për banorët e zonave pranë saj, por edhe për turistët që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Marrëveshja është nënshkruar me 3 korrik të këtij viti, dhe është iniciuar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, për lehtësimin e qarkullimit në pikën e përbashkët kufitare, duke marrë masa të përbashkëta.

Dy vendet, me hapjen e kësaj pike të përbashkët të kalimit kufitar, synojnë të realizojnë objektivat e tyre lidhur me lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe të mjeteve në zonat afër Bashkisë Shkodër dhe zonave të malësisë së Krajës, komuna e Tivarit - Mali i Zi, dhe në kufirin tokësor dhe liqenor me Malin e Zi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın