Politikë

Rama për zgjedhjet vendore: Fitoi e ardhmja dhe shpresa

"Nga sot Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh, bojkot zgjedhjesh kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur”, tha Rama

Fatjon Cuka  | 30.06.2019 - Përdıtësım : 01.07.2019
Rama për zgjedhjet vendore: Fitoi e ardhmja dhe shpresa Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë për mediat pas përfundimit të procesit të votimit për zgjedhjet vendore tha se me këtë proces fitoi e ardhmja, qytetaria dhe shpresa, raporton Anadolu Agency (AA).

"Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarjeje të rëndë politike, të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popujve të Evropës", deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

"Nga sot Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh, bojkot zgjedhjesh kundër të drejtës së popullit për të zgjedhur”, tha më tej Rama.

Basha: E sotmja e ka bërë të pashmangshëm ndryshimin

Në lidhje me procesin zgjedhor ka reaguar edhe kryearti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, që nuk mori pjesë në zgjedhje.

"Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Evropë, që nga koha e komunizmit", u shpreh Basha në një deklaratë për mediat.

"Ndryshimi do të vijë shpejt. E sotmja e ka bërë të pashmangshëm ndryshimin", u shpreh më tej Basha.

Zgjedhjet vendore në Shqipëri

Zgjedhjet u zhvilluan sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor. Dekreti i ri që përcakton 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore nuk është mbështetur dhe njohur nga kryeministri Edi Rama.

Në zgjedhje mori pjesë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Rama e cila udhëheq koalicionin e emërtuar "Aleanca për Shqipërinë Evropiane", së bashku me disa parti aleate të saj.

Nga ana tjetër, partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), bojkotuan zgjedhjet vendore, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare parlamentare dhe joparlamentare.

Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pjesëmarrja në zgjedhje ishte 21.6 për qind.

Procesi zgjedhor është vëzhguar nga misioni i OSBE/ODIHR-it, ambasadat e ndryshme të akredituara në Tiranë, si dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare dhe kombëtare, në të gjithë territorin e vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın