Putin falënderon Erdoğanin për bisedimet në Stamboll, thekson rolin e Turqisë në lehtësimin e negociatave
“Rusia është gati të zgjidhë luftën në Ukrainë sipas parimeve të Stambollit”, theksoi presidenti rus, duke këshilluar Kievin të mos i vonojë negociatat

Istanbul
Gjatë një takimi me drejtuesit e agjencive ndërkombëtare të lajmeve në Shën Petersburg, presidenti Putin përsëriti gatishmërinë për t’u takuar për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, por tha se “pyetja është se kush do t’i nënshkruajë dokumentet”.
“Rusia është gati të zgjidhë luftën në Ukrainë sipas parimeve të Stambollit”, theksoi presidenti rus, duke këshilluar Kievin të mos i vonojë negociatat.
- “Irani nuk kërkon mbështetje ushtarake ruse”
Putin ka folur edhe për përshkallëzimin e tensioneve midis Izraelit dhe Iranit, duke deklaruar se Teherani nuk po kërkon mbështetje ushtarake nga Moska, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve me Izraelin, duke minimizuar mundësinë e një aleance ushtarake midis dy vendeve.
“Irani nuk po na kërkon asnjë ndihmë ushtarake”, tha Putin.
“Edhe kur ofruam të zhvillojmë së bashku sisteme të mbrojtjes ajrore në të kaluarën, pati pak interes nga pala iraniane”, shtoi ai.
Putin gjithashtu tha se kërkimi i mënyrave për t’i dhënë fund armiqësive të vazhdueshme midis Iranit dhe Izraelit është e “duhura për të gjithë”.
“Do të ishte e duhur që të gjithë të kërkonin mënyra për të ndaluar armiqësitë dhe të gjejnë mënyra që të gjitha palët në këtë konflikt të arrinin një marrëveshje me njëra-tjetrën në mënyrë që të sigurohen si interesat e Iranit nga njëra anë në aktivitetin e tij bërthamor, ashtu edhe për të siguruar interesat e Izrelit, nga pikëpamja e sigurisë së pakushtëzuar të shtetit hebre”, tha ai.
Putin tha se ekzistojnë mundësi për të siguruar interesat e Iranit dhe për të lehtësuar shqetësimet nga ana izraelite dhe se këto iu paraqitën partnerëve.
Sipas tij, Rusia dhe Irani nënshkruan një kontratë për ndërtimin e dy njësive të tjera në Centralin Bërthamor të Bushehrit.
“Puna është duke u zhvilluar, specialistët tanë janë në vendngjarje, mbi 200 persona. Ne jemi dakorduar me udhëheqjen izraelite që siguria e tyre do të garantohet”, shtoi ai.
Presidenti rus gjithashtu tha se "as që dëshiron të diskutojë mundësinë e eliminimit nga Izraeli të udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei".
- Përpjekjet e riarmatimit të NATO-s, Putin i quan “të pakuptimta”
Më tej, Putin ndërtimin ushtarak të NATO-s e konsideroi si të pajustifikuar dhe të parëndësishëm, duke theksuar se përpjekja e aleancës për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nuk përbën kërcënim për Moskën.
“Ne nuk e konsiderojmë asnjë riarmatim të NATO-s si një kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse”, tha Putin.
“Çdo riarmatim i vendeve të NATO-s nuk ka kuptim”, shtoi ai, duke kritikuar konkretisht propozimet për të rritur buxhetet e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit bruto të brendshëm.
Putin gjithashti kritikoi narrativat perëndimore rreth “agresionit” rus si të pabaza.
“Legjenda se Rusia do të sulmojë NATO-n është e pakuptimtë”, tha Putin.
Duke iu referuar shpenzimeve globale ushtarake të aleancës, Putin tha se “vendet e NATO-s shpenzojnë 1.4 trilionë dollarë për mbrojtje, më shumë se të gjitha vendet e botës së bashku”.
Më tej, ai akuzoi fuqitë perëndimore për standarde të dyfishta, duke theksuar: “Ju shkruani rregulla për të tjerët, por vetë nuk do t’i ndiqni ato. Kush do të jetojë sipas rregullave të tilla”.
Komentet e tij erdhën mes tensioneve të larta midis Rusisë dhe NATO-s për shkak të Ukrainës, pozicionimit të mbrojtjes në Evropën Lindore dhe propozimeve të fundit brenda aleancës për të rritur angazhimet afatgjata të mbrojtjes.