Presidenti italian, Mattarella: Situata në Gaza po bëhet "dramatikisht më serioze dhe e patolerueshme"
- Presidenti italian, Sergio Mattarella tha se sulmet izraelite që çojnë në viktima të rënda civile "nuk mund të shihen më si të paqëllimshme".

Istanbul
STAMBOLL (AA) - Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella tha se situata në Gaza është bërë më serioze dhe e patolerueshme, duke bërë thirrje për armëpushim efektiv, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, Mattarella gjatë një ceremonie tradicionale në Pallatin Quirinal në Romë deklaroi: "Është e qartë se situata në Gaza po bëhet dita-ditës, dramatikisht më serioze dhe e patolerueshme".
Ai bëri thirrje për "armëpushim efektiv", duke nënvizuar se sulmet izraelite që çojnë në viktima të rënda civile "nuk mund të shihen më si të paqëllimshme". Mattarella përmendi më tej sulmin e fundit izraelit ndaj një kishe katolike në Gaza, duke theksuar se "bombardimi tronditës" u quajt "gabim".
"Për shekuj me radhë, nga Seneka te Shën Agustini, na është kujtuar se 'të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore'", shtoi ai.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë mbi 60.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për luftën e tij në enklavë.