Politikë

Presidenti iranian: Diplomacia kërkon që SHBA-ja të heq dorë nga kërcënimet

Presidenti Pezeshkian, gjatë bisedës me presidentin Erdogan, theksoi rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë, angazhimit dhe dialogut, duke shmangur çdo veprim provokues ose që nxit përshkallëzim

Tarek Chouiref  | 30.01.2026 - Përdıtësım : 30.01.2026
Presidenti iranian: Diplomacia kërkon që SHBA-ja të heq dorë nga kërcënimet

Stamboll

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkuan ka deklaruar se përpjekjet diplomatike me SHBA-në mund të kenë sukses vetëm nëse Washingtoni heq dorë nga kërcënimet dhe veprimet që nxisin luftë në rajon si dhe ka theksuar se dialogu kërkon vullnet të mirë dhe besim të ndërsjellë, transmeton Anadolu.

Këto komente, sipas presidencës iraniane, erdhën gjatë një bisede telefonike sot me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë bisedës, Pezeshkian theksoi rëndësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë, angazhimit dhe dialogut, duke shmangur çdo veprim provokues ose që nxit përshkallëzim.

Ai tha se formimi i proceseve efektive diplomatike të bazuara në dialog varet nga krijimi i një atmosfere besimi të ndërsjellë, duke shtuar se suksesi i çdo nisme diplomatike kërkon prova të vullnetit të mirë nga palët përkatëse dhe heqjen dorë nga sjelljet kërcënuese dhe nxitëse të luftës.

Pezeshkian riafirmoi përkushtimin e Iranit ndaj asaj që e përshkroi si "diplomaci dinjitoze" brenda kornizës së së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se qasja e Teheranit bazohet në dialog, respekt të ndërsjellë, refuzim të kërcënimit dhe forcës, si dhe në një logjikë fitimtare për të dyja palët.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur tensionet mes Iranit dhe SHBA-së janë përshkallëzuar javët e fundit, pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, se një "armatë masive" po lëvizë drejt Iranit, së bashku me thirrjen e tij që "Teherani të ulet në tryezë për negociata".

Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se çdo sulm amerikan do të sillte përgjigje "të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse" si dhe kanë përsëritur se Teherani mbetet i hapur për bisedime vetëm sipas asaj që ata i përshkruan si "kushte të drejta, të balancuara dhe jo shtrënguese".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.