Politikë

Presidenti i Brazilit: Ish-presidenti Bolsonaro do të vuajë dënimin me burg

Presidenti Lula da Silva mbron pavarësinë e gjyqësorit ndërsa hedh poshtë kritikat e Trumpit

Sinan Doğan  | 24.11.2025 - Përdıtësım : 24.11.2025
Presidenti i Brazilit: Ish-presidenti Bolsonaro do të vuajë dënimin me burg

Bolivar

Presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva tha se ish-presidenti Jair Bolsonaro do të vuajë dënimin me burg të caktuar nga gjykatat, pasi Bolsonaro u mor në paraburgim nga policia federale vetëm disa ditë para se të fillonte zyrtarisht dënimin e tij, raporton Anadolu.

Duke folur me gazetarët gjatë Samitit të Liderëve të G20 në Johanesburg të Afrikës së Jugut, Lula komentoi mbi ndalimin e Bolsonaros dhe theksoi se procesi gjyqësor ka përfunduar. "Ai do të vuajë dënimin e caktuar nga gjyqësori dhe të gjithë e dinë tashmë se çfarë bëri ai", deklaroi Lula.

Ai shtoi se dënimi i Bolsonaros pasoi një proces të gjerë ligjor. "Pati hetime që zgjatën rreth dy vjet e gjysmë, shqyrtime mbi akuzat dhe një gjyq. Me fjalë të tjera, gjyqësori mori vendimin e tij dhe vendimi është përfundimtar. Prandaj, nuk kam asnjë koment tjetër për të shtuar", tha Lula.


- "Trump duhet ta kuptojë se ne jemi vend sovran"

Presidenti brazilian iu përgjigj kritikave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ndalimin e Bolsonaros. Trump e përshkroi atë si "një situatë shumë të keqe". Lula e hodhi poshtë idenë se arrestimi ishte i papërshtatshëm.

"Bolsonaro kishte të drejtën e prezumimit të pafajësisë. Nuk mendoj se kjo ka të bëjë fare me situatën aktuale", tha Lula.

"Trump duhet të kuptojë se ne jemi vend sovran dhe se vendimet gjyqësore këtu merren në mënyrë të pavarur. Vendimi i dhënë këtu mbetet në fuqi. Nuk dua të komentoj mbi vendimin e dhënë nga gjyqësori", shtoi ai.

Sipas mediave braziliane, Bolsonaro, i cili shërbeu si president nga viti 2019 deri në vitin 2023 do të mbahet në një dhomë private prej 12 metrash katrorë të pajisur me një krevat, banjo private, dritare, televizor, ajër të kondicionuar dhe frigorifer të vogël.

Policia federale e Brazilit e arrestoi Bolsonaron pak para se ai të fillonte të vuante dënimin e tij me 27 vjet e 3 muaj burg për rolin e tij në një tentativë grushti shteti. Ai ishte në arrest shtëpiak përpara se të arrestohej.

Gjithashtu, Lula tha se planifikon të diskutojë tensionet në rritje midis SHBA-së dhe Venezuelës me presidentin Trump, duke përmendur aktivitetin e shtuar ushtarak amerikan në Karaibe dhe duke paralajmëruar se angazhimi diplomatik është thelbësor për të parandaluar një konflikt të mundshëm.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.