Politikë

Presidenti Erdogan: Turqia dhe Arabia Saudite do të bashkëpunojnë për rindërtimin e Sirisë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan dhe Princi i Kurorës Mohammed bin Salman kanë diskutuar çështjet rajonale dhe globale gjatë takimit të tyre në Riad

Esra Tekin, Asiye Latife Yılmaz  | 04.02.2026 - Përdıtësım : 04.02.2026
Presidenti Erdogan: Turqia dhe Arabia Saudite do të bashkëpunojnë për rindërtimin e Sirisë

Stamboll

Turqia do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Sirisë dhe do të punojë në bashkëpunim me Arabinë Saudite për rindërtimin e Sirisë, ka deklaruar presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë një takimi me Princin saudit të Kurorës Mohammed bin Salman në Riad, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, liderët gjatë takimit të tyre kanë diskutuar çështje rajonale dhe globale, marrëdhëniet bilaterale, energjinë dhe mbrojtjen.

Ankaraja vazhdon të punojë për rindërtimin e Gazës, ka thënë Erdogan, duke bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund krizës humanitare.

Dy liderët gjithashtu kanë diskutuar në detaje situatën më të fundit në Jemen dhe zhvillimet në Afrikën Lindore.

Erdogan ka shprehur vendosmërinë për t’i çuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Arabisë Saudite në një “nivel më të lartë”, nëpërmjet hapave që do të ndërmerren në shumë fusha.


- Turqia dhe Arabia Saudite angazhohen për përmirësimin e lidhjeve ekonomike

Në një deklaratë të përbashkët, të dyja palët lavdëruan fuqinë e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, dhe u dakorduan mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të këtyre lidhjeve, veçanërisht në sektorë me prioritet të ndërsjellë.

Të dyja palët gjithashtu ranë dakord të përfitojnë nga mundësitë e investimeve të ofruara nën “Vizionin Saudit 2030” dhe “Shekullin e Turqisë”, për përfitimin e ndërsjellë të dy ekonomive.

Ata përshëndetën nivelin e tregtisë bilaterale dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për zgjerimin e tregtisë jashtë naftës, intensifikimin e vizitave reciproke të zyrtarëve të sektorit publik dhe privat, si dhe organizimin e ngjarjeve tregtare në të dy vendet përmes Këshillit të Biznesit Turqi-Arabia Saudite.

Të dyja palët nënvizuan rëndësinë e përfundimit të negociatave për një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë midis Turqisë dhe vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC).

Të dyja palët vlerësuan nivelin e investimeve reciproke, duke përfshirë investimet saudite në financa, sigurime, pronësi të patundshme, prodhim dhe shërbime. Në të njëjtën kohë, ata mirëpritën rolin jetik të kompanive turke që operojnë në fusha të ndryshme si inxhinieria, ndërtimi, zhvillimi i pronës së patundshme dhe prodhimi.

Arabia Saudite përshëndeti projektet e kryera nga kompanitë turke të ndërtimit dhe konsulencës në Arabinë Saudite, dhe të dyja palët shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin për realizimin e projekteve të tjera infrastrukturore dhe superstrukturale brenda kuadrit të “Vizionit Saudit 2030”.

Ankaraja dhe Riadi gjithashtu mirëpritën rezultatet pozitive të Forumit të Investimeve Turqi-Arabi Saudite të mbajtur të martën në Riad, ku morën pjesë kompani të mëdha nga të dy vendet dhe u evidentuan mundësi premtuese investimi dhe shkëmbimi ekspertize në turizëm dhe mikpritje, ndërtim, komunikim dhe teknologji informacioni, si dhe në shkencat e jetës dhe shëndetësi.


- Rëndësia e bashkëpunimit energjetik

Të dyja palët theksuan rëndësinë e rolit të tyre në kontribut të konsiderueshëm për furnizimin me energji në rajonet dhe tregjet globale.

Ankaraja vuri në dukje rolin udhëheqës të Arabisë Saudite në rritjen e besueshmërisë dhe stabilitetit të tregjeve globale të naftës në mënyrë që t’u shërbejë interesave të prodhuesve dhe konsumatorëve dhe të mbështesë rritjen ekonomike globale.

Të dyja palët ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në furnizimin me naftë, derivatet e naftës dhe petrokimikate, dhe të punojnë së bashku për të vlerësuar mundësitë e investimeve në sektorin e petrokimikateve dhe ushqimeve bujqësore, si dhe të bashkëpunojnë në përdorime inovative të hidrokarbureve.

Erdogan dhe Salman konfirmuan dëshirën për të forcuar bashkëpunimin në energjinë elektrike dhe energjitë e ripërtëritshme duke shfrytëzuar përvojën e gjerë të të dy vendeve në integrimin e energjive të ripërtëritshme dhe investimet e mëdha energjetike të Arabisë Saudite.

Të dyja palët u angazhuan për të përshpejtuar studimet e fizibilitetit për interkoneksionin elektrik midis dy vendeve dhe për të shkëmbyer ekspertizë në teknologjitë e energjisë elektrike dhe të ripërtëritshme, automatizimin e rrjetit, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rrjetit elektrik, projektet e energjisë së ripërtëritshme, lidhshmërinë e rrjetit dhe teknologjitë e ruajtjes së energjisë, si dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e kompanive nga të dy vendet në realizimin e këtyre projekteve.

Ankaraja dhe Riadi gjithashtu theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në efikasitetin dhe kursimin e energjisë, ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e këtyre çështjeve, shkëmbimin e ekspertizës dhe ndërtimin e kapaciteteve në sektorin e shërbimeve energjetike.

Të dyja palët mirëpritën gjithashtu eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në fushën e hidrogjenit të pastër, zhvillimin e teknologjive për transportin dhe ruajtjen e hidrogjenit, si dhe shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës për zbatimin e praktikave më të mira.

Ata ranë dakord mbi nevojën për të forcuar bashkëpunimin në zhvillimin dhe mirëmbajtjen e zinxhirëve të furnizimit me energji dhe për të mundësuar bashkëpunimin midis kompanive të dy vendeve për të shfrytëzuar burimet vendore, duke kontribuuar kështu në një furnizim energjie më të qëndrueshëm dhe efikas.

Turqia dhe Arabia Saudite ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin në eksplorimin, nxjerrjen dhe përpunimin e burimeve minerale. Ata gjithashtu theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe investimeve të përbashkëta në fushën e mineraleve kritike për të siguruar zinxhirët e furnizimit të domosdoshëm për tranzicionin energjetik global.


- Bashkëpunimi mbi ndryshimet klimatike

Të dyja palët theksuan rëndësinë e respektimit të parimeve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC) dhe Marrëveshjes së Parisit, dhe nevojën për zhvillimin dhe zbatimin e marrëveshjeve klimatike që fokusohen në emetime dhe jo në burime.

Arabia Saudite mirëpriti gjithashtu presidencën e Turqisë në Konferencën e 31-të të Palëve të UNFCCC (COP31) dhe organizimin e COP31 në Antalya më 9-20 nëntor 2026.

Ankaraja përgëzoi qëndrimin dhe përpjekjet e Riadit në fushën e ndryshimeve klimatike. Të dyja palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e praktikave të ekonomisë rrethore të karbonit duke promovuar politika që e përdorin këtë ekonomi si mjet, së bashku me qasje të tjera për uljen e emetimeve, për të arritur objektivat e ndryshimeve klimatike.


- Këshilli i Koordinimit Turqi-Arabi Saudite, thelbësor për avancimin e bashkëpunimit

Ankaraja dhe Riadi përgëzuan nivelin e koordinimit dhe bashkëpunimit brenda kuadrit të Këshillit të Koordinimit Turqi-Arabi Saudite, i krijuar për të arritur interesat e përbashkëta dhe për të avancuar bashkëpunimin në të gjithë sektorët.

Ata theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe partneriteteve në fusha të ndryshme, duke përfshirë ekonominë digjitale, inteligjencën artificiale, teknologjitë e reja dhe ato hapësinore, transportin, logjistikën dhe aviacionin civil, ligjin dhe drejtësinë, kulturën, turizmin, sportin dhe rininë, shkencën dhe edukimin, mediat, mjedisin, ujin, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore, doganat, industrinë e mbrojtjes dhe shëndetësinë.


- Marrëveshjet dypalëshe të mbrojtjes

Në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të dyja palët ranë dakord mbi nevojën për operacionalizimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis dy vendeve në fushën e bashkëpunimit ushtarak.

Ankaraja dhe Riadi konfirmuan dëshirën për të forcuar dhe zhvilluar marrëdhëniet e mbrojtjes, përfshirë përmes platformave të bashkëpunimit shumëpalësh, në mënyrë që t’u shërbejë interesave të të dyja vendeve dhe të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ata theksuan rëndësinë e përmirësimit të bashkëpunimit ekzistues në fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë luftën kundër të gjitha formave të krimit, ekstremizmit dhe terrorizmit dhe financimit të tyre, si dhe shkëmbimin e ekspertizës dhe trajnimeve, dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike në mënyrë që t’u shërbejë interesave dhe sigurisë kombëtare të të dy vendeve.


- Angazhimi për përpjekje të vazhdueshme për paqe globale

Të dyja palët konfirmuan angazhimin për koordinim të vazhdueshëm dhe përpjekje të intensifikuara për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ata diskutuan çështje rajonale dhe ndërkombëtare me interes të ndërsjellë dhe theksuan vendosmërinë për të forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin e përbashkët.

Ata gjithashtu konfirmuan vazhdimin e mbështetjes për të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe globalisht. Palët zhvilluan diskutime gjithëpërfshirëse mbi zhvillimet rajonale, shprehën shqetësimin për konfliktet në vazhdim, tensionet në rritje dhe rrezikun e përshkallëzimit, dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Ata rikonfirmuan mbështetjen për iniciativa kolektive që synojnë sigurimin e stabilitetit, paqes dhe prosperitetit rajonal.


- Bashkëpunimi në forume ndërkombëtare

Të dyja palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në forume ndërkombëtare, organizata dhe institucione financiare dhe ekonomike shumëpalëshe.

Turqia shprehu mbështetjen për dëshirën e Arabisë Saudite për të organizuar Samitin e G20-ës në vitin 2030.

Të dyja palët mirëpritën nënshkrimin e katër marrëveshjeve gjatë vizitës, që mbulojnë fusha si drejtësia, energjia e ripërtëritshme, përdorimi paqësor i hapësirës dhe bashkëpunimi në kërkim, zhvillim dhe inovacion.


- Ndihma urgjente për Gazën

Për zhvillimet e fundit në Palestinë, të dyja palët shprehën shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, sulmet e vazhdueshme izraelite dhe pengimin e ndihmave humanitare dhe kalimeve kufitare.

Ata theksuan nevojën për të intensifikuar përpjekjet e ndihmës në Gaza dhe për të siguruar që të gjitha kalimet të jenë të hapura plotësisht për të mundësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare urgjente.

Ata bënë thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të ushtrojë presion mbi autoritetet izraelite për të garantuar mbrojtjen e civilëve, për të shmangur sulmet ndaj infrastrukturës jetike dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin humanitar ndërkombëtar.

Ata gjithashtu theksuan nevojën për konsolidimin e armëpushimit, përfundimin e pushtimit të Gazës dhe mundësimin që Autoriteti Kombëtar Palestinez të rifillojë përgjegjësitë në Gaza.

Palët rikonfirmuan nevojën për t’i dhënë plotësisht fund pushtimit dhe për të krijuar një shtet të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Iniciativën e Paqes Arabe të vitit 2002.


- Pjesëmarrja në Bordin e Paqes

Të dyja palët mirëpritën pjesëmarrjen e vendeve të tyre në Bordin e Paqes, duke mbështetur përpjekjet për paqe të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump.

Ata mirëpritën fillimin e fazës së dytë të planit gjithëpërfshirës për paqen në Gaza dhe fillimin e punës nga Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, dhe lavdëruan përpjekjet ndërkombëtare në këtë drejtim.

Arabia Saudite vlerësoi përpjekjet e Turqisë si ndërmjetësuese së bashku me shtetet garantuese dhe arritjet e realizuara.

Turqia përgëzoi rolin bashkëkryesues të Arabisë Saudite në Konferencën e Lartë të OKB-së mbi Zgjidhjen Paqësore të Çështjes Palestineze dhe Zbatimin e Zgjidhjes me Dy Shtete, duke vënë në dukje rritjen e njohjes ndërkombëtare të Shtetit të Palestinës.

Ankaraja dhe Riadi gjithashtu rikonfirmuan rolin jetik të UNRWA-s në ofrimin e shërbimeve bazë për popullin palestinez.

Të dyja palët dënuan fuqishëm shkatërrimin e ndërtesave të UNRWA-s nga forcat izraelite në Kudsin e pushtuar dhe refuzuan plotësisht shkeljet e normave dhe ligjeve ndërkombëtare nga Izraeli.

Ata bënë thirrje për komunitetin ndërkombëtar që të përballet me këto veprime dhe krime kundër organizatave humanitare ndërkombëtare.

Të dyja palët theksuan rolin thelbësor të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) në mbrojtjen e çështjes palestineze dhe përgëzuan punën e Grupit të Kontaktit Arabo-Islamik për Gazën.

Ata ranë dakord të nxisin dialog dhe bashkëpunim më të fortë midis Turqisë dhe Ligës Arabe.

Palët rikonfirmuan mbështetjen për qeverinë legjitime të Jemenit, të përfaqësuar nga kryetari i Këshillit Presidencial dhe qeveria e tij.

Ata theksuan rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Jemenit dhe refuzuan çdo përpjekje për të mbështetur forcat e brendshme që synojnë ndarjen e vendit ose minimin e sigurisë dhe stabilitetit të tij.

Turqia shprehu mbështetje për rolin e Arabisë Saudite në Jemen dhe për përpjekjet e saj për përfundimin e krizës, përfshirë mbështetjen për mbajtjen e një konference gjithëpërfshirëse në Riad me të gjitha grupet e jugut për të forcuar pajtimin kombëtar.


- Mbështetje për unitetin dhe integritetin territorial të Somalisë

Të dyja palët rikonfirmuan mbështetjen e pakushtëzuar për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Somalisë, si dhe angazhimin për stabilitetin, prosperitetin dhe zhvillimin e vendit.

Ata refuzuan deklaratën e njohjes së ndërsjellë midis autoriteteve izraelite dhe asaj që quhet “Somaliland”, duke e konsideruar pjesë integrale të Somalisë, dhe theksuan se kjo shkel ligjin ndërkombëtar dhe forcon veprimet separatiste njëanshme që rrisin tensionet rajonale.

Ata gjithashtu kritikuan përpjekjet për të vendosur struktura paralele që dobësojnë unitetin e Somalisë.


- Uniteti, siguria dhe sovraniteti i Sudanit

Palët rikonfirmuan qëndrimin e tyre të fortë për ruajtjen e unitetit, sigurisë, stabilitetit dhe sovranitetit të Sudanit.

Ata refuzuan çdo entitet të paligjshëm ose paralel që vepron jashtë institucioneve legjitime shtetërore të Sudanit.

Palët theksuan rëndësinë e parandalimit që Sudani të shndërrohet në një qendër konfliktesh dhe aktivitetesh të paligjshme, përfshirë qarkullimin e paligjshëm të armëve të huaja.

Në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare dhe Deklaratën e Xhides të 11 majit 2023, ata nënvizuan nevojën për mbrojtjen e civilëve dhe lehtësimin e qasjes së ndihmës humanitare në të gjitha pjesët e Sudanit.

Ata theksuan rëndësinë e mbrojtjes së institucioneve shtetërore sudaneze dhe nisjes së një procesi politik të udhëhequr nga sudanezët, me synimin e krijimit të një qeverie civile të lirë nga grupet ekstremiste përgjegjëse për krime ndaj popullit sudanez.

Turqia vlerësoi përpjekjet e Arabisë Saudite për arritjen e paqes në Sudan, përfundimin e luftës, ruajtjen e unitetit dhe stabilitetit, si dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit sudanez.

Arabia Saudite vlerësoi Turqinë për përpjekjet e saj në ofrimin e ndihmës humanitare në përgjigje të krizës në Sudan.

Palët mirëpritën vendimin e Forcave të Armatosura Sudaneze për të mbajtur të hapur për një periudhë më të gjatë pikën kufitare Adre me Çadin dhe për të rihapur aeroportet në Kassala, Dongola dhe El Obeid, si dhe pikën kufitare Kadugli, për të lehtësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare.


- Riadi dhe Ankaraja mirëpresin heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë

Të dyja palët vlerësuan përpjekjet e qeverisë siriane dhe hapat e përgjegjshëm të ndërmarrë për ruajtjen e sigurisë, stabilitetit dhe integritetit territorial të Sirisë.

Ata mirëpritën përpjekjet ndërkombëtare për të mbështetur qeverinë siriane dhe për të hequr sanksionet.

Palët mbështetën zbatimin e marrëveshjes për armëpushim dhe integrim të shpallur më 30 janar dhe rikonfirmuan mbështetjen e plotë për përpjekjet e Sirisë në luftën kundër organizatave terroriste që kërcënojnë Sirinë dhe rajonin më të gjerë, si dhe për promovimin e paqes civile.

Ata dënuan shkeljet dhe sulmet e përsëritura izraelite ndaj territorit dhe sovranitetit sirian, duke deklaruar se këto veprime shkelin qartazi të drejtën ndërkombëtare, kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe nxisin dhunën dhe ekstremizmin.

Dy vendet përsëritën thirrjet për tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga të gjitha territoret siriane të pushtuara.


Lufta Rusi–Ukrainë

Lidhur me krizën Rusi–Ukrainë, të dyja palët rikonfirmuan mbështetjen e tyre të fortë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të negociuar, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, me synimin për arritjen e një paqeje, stabiliteti dhe prosperiteti të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın