Politikë

Presidenti Erdogan akuzon Izraelin për bllokimin e ndihmës në Gaza me "justifikime të sajuara"

"Izraeli nuk po e mban fjalën dhe në vazhdimësi krijon vështirësi dhe pengesa për hyrjen e ndihmës humanitare me justifikime të sajuara", tha Erdogan

Gizem Nisa Çebi Demir  | 24.12.2025 - Përdıtësım : 24.12.2025
Presidenti Erdogan akuzon Izraelin për bllokimin e ndihmës në Gaza me "justifikime të sajuara"

st

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se Izraeli ka dështuar të përmbushë angazhimet e tij dhe po pengon me qëllim ndihmën humanitare në Gaza, raporton Anadolu.

"Izraeli nuk po e mban fjalën dhe në vazhdimësi krijon vështirësi dhe pengesa për hyrjen e ndihmës humanitare me justifikime të sajuara", tha Erdogan në fjalën e tij në një mbledhje të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara.

"Edhe pse armëpushimi ka qenë në fuqi në Gaza që nga 11 tetori, vështirësitë vazhdojnë në vendbanimet që Izraeli i ka kthyer në rrënoja", theksoi Erdogan.

Ai tha se Turqia do të rrisë mbështetjen e saj për palestinezët në periudhën e ardhshme.

"Gjatë tre muajve të bekuar, ne do të rrisim ndihmën tonë. Si Turqi, ne nuk do të tërhiqemi, nuk do të heshtim, nuk do të harrojmë dhe kurrë nuk do ta lëmë Gazën të vetme", tha presidenti Erdogan.

Më tej, presidenti turk theksoi se "paturpësia e atyre që kanë në duart e tyre gjakun e mbi 70 mijë palestinezëve nuk është asgjë më shumë se zhurma e kanaçeve".

Duke e pozicionuar qëndrimin e Turqisë si pjesë të një politike më të gjerë humanitare, Erdogan tha se vendi i tij vazhdimisht u ka ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

"Nga Kaukazi në Ballkan, nga Afrika në Azi, kushdo që ka qenë në vështirësi, ne kemi nxituar t'i ndihmojmë. Ky ishte rasti dje, ky është rasti sot dhe nuk do të ndryshojmë kurrë as nesër", tha presidenti Erdogan.

Ai theksoi se teksa Turqia mbështet paqen dhe nuk do të pranojë padrejtësi.

"Të gjithë duhet ta dinë se, ashtu si në të kaluarën, ne jemi në favor të paqes dhe qetësisë edhe sot. Por, kjo nuk do të thotë se ne pranojmë padrejtësinë ose heshtim përballë shtypjes", tha presidenti turk.

Erdogan gjithashtu tha se Turqia do të mbrojë me vendosmëri të drejtat e saj në mosmarrëveshjet rajonale.

"Qoftë në Mesdheun Lindor, në Egje apo kudo tjetër, ne as nuk shkelim të drejtat e askujt dhe as nuk lejojmë që të drejtat tona të shkelen", tha ai.

Më tej, Erdogan duke iu referuar sigurisë së brendshme tha se angazhimi i Turqisë për një "Turqi pa terror" ka filluar të zbusë pesimizmin përtej kufijve të saj. Ai shtoi se komunitetet arabe, kurde, turkmene, sunite dhe shiite po shikojnë drejt së ardhmes me shpresë të përtërirë.

"Turqia më në fund ka nisur një rrugë të paqes, sigurisë, zhvillimit dhe prosperitetit dhe me vullnetin e Zotit, do të ecë këtë rrugë me durim deri në fund", tha ai.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.