Politikë

Polonia urdhëron paraburgim në mungesë ndaj ish-ministrit të drejtësisë, që i është dhënë azil në Hungari

Hetuesit e kanë akuzuar prej kohësh ish-ministrin Zbigniew Ziobro për kryerjen e 26 veprave penale, në kohën kur ai ishte një nga figurat më me ndikim të administratës së mëparshme të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS)

Burak Bir  | 06.02.2026 - Përdıtësım : 06.02.2026
Polonia urdhëron paraburgim në mungesë ndaj ish-ministrit të drejtësisë, që i është dhënë azil në Hungari

Londër

Një gjykatë në Varshavë ka urdhëruar paraburgim në mungesë për ish-ministrin e Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, i cili që nga tetori jeton në Hungari, raportuan mediat të premten, transmeton Anadolu.

Hetuesit e kanë akuzuar prej kohësh Ziobron për kryerjen e 26 veprave penale, në kohën kur ai ishte një nga figurat më me ndikim të administratës së mëparshme të partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, raportoi TVP World.

Hungaria i ka dhënë azil Ziobros, i cili përballet me akuza të shumta në Varshavë, tha avokati i tij muajin e kaluar.

Ziobro “ka përfituar mbrojtje ndërkombëtare dhe azil politik në Hungari në lidhje me shkeljet e të drejtave dhe lirive në territorin polak të garantuara nga e drejta ndërkombëtare”, shkroi Bartosz Lewandowski më 12 janar në platformën X, të kompanisë amerikane të mediave sociale.

Urdhri për paraburgim në mungesë hap rrugën për lëshimin e një urdhërarresti evropian ndaj Ziobros.

Akuzat përfshijnë drejtimin e një grupi të organizuar kriminal, i cili dyshohet se ka keqpërdorur 150 milionë zloty (41,9 milionë dollarë) nga Fondi i Drejtësisë, një program shtetëror i destinuar për mbështetjen e viktimave të krimit.

“Gjykata konfirmoi se provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë një probabilitet të lartë që i dyshuari Zbigniew Z. ka kryer 26 krime, përfshirë themelimin dhe drejtimin e një grupi të organizuar kriminal dhe bashkëpunimin në përvetësimin e fondeve nga Fondi i Drejtësisë”, thuhet në një deklaratë të Zyrës së Prokurorit Kombëtar të enjten.

Ziobros iu dha azil në Hungari një javë pasi dy shtetas polakë, identitetet e të cilëve mbeten të panjohura, u pajisën gjithashtu me azil nga Budapesti, një hap që tensionoi më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Vendimi pasoi lëvizjen e mëhershme të Hungarisë për t’i dhënë azil Marcin Romanowskit, ish-zëvendësministër i Drejtësisë, i kërkuar nga prokurorët polakë për 11 akuza, që variojnë nga abuzimi i dyshuar me pushtetin deri te përvetësimi i fondeve publike.

Në përgjigje, Polonia thirri të dërguarin hungarez dhe shprehu zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj vendimeve për azil.

Në komente me shkrim të dërguara për Anadolu më 30 janar, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Polonisë ritheksoi se Varshava ka shprehur keqardhje për hapat e fundit të ndërmarrë nga autoritetet hungareze.

Zëdhënësi tha se këto veprime “ndikojnë negativisht” në marrëdhëniet dypalëshe mes Budapestit dhe Varshavës dhe “minojnë” parimet e solidaritetit evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.