Polonia po shqyrton ligjin për sigurinë kibernetike mes presionit teknologjik nga SHBA-ja dhe Kina
Polonia tani po përballet me një zgjedhje strategjike mes rreshtimit me Washingtonin ose rrezikimit të hakmarrjes ekonomike nga Pekini
Bruksel
Polonia pritet të shqyrtojë amendamente në ligjin e saj për Sistemin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, derisa rritet presioni nga SHBA-ja për të bllokuar kompanitë kineze të teknologjisë, përfshirë Huawei-n, nga pjesëmarrja në projektet e infrastrukturës digjitale kritike, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi TVP World, legjislacioni, që pret nënshkrimin e presidentit Karol Nawrocki, konsiderohet si një nga projektligjet më të rëndësishme të këtij mandati parlamentar.
Ai parashikon zgjerimin e rregullave të sigurisë kibernetike për të përfshirë sektorë si menaxhimi i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, shërbimet e ujërave të ndotura, shpërndarjen e ushqimit, shërbimet postare dhe prodhimin kimik.
Ligji do t’u jepte autoriteteve kompetencën të përcaktojnë kompani teknologjike si “ofrues me rrezik të lartë”, duke i përjashtuar praktikisht nga tenderët publik.
Ekspertët thanë se kjo mund të pengojë kompani kineze si Huawei dhe ZTE të marrin pjesë në projektet e infrastrukturës digjitale.
“Në vitin 2025 kemi regjistruar 272 mijë incidente të sigurisë kibernetike, më shumë se dyfishi i numrit në vitin 2024. Prandaj duhet të forcojmë Rrjetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike”, tha Dariusz Standerski, zv/ministër i Çështjeve Digjitale, për portalin e lajmeve Wirtualna Polska.
Sipas një burimi anonim qeveritar të cituar nga Wirtualna Polska, zyrtarët amerikanë e kanë ngritur vazhdimisht këtë çështje në diskutimet me homologët e tyre polakë, duke theksuar se pothuajse të gjitha takimet e fundit kanë përfshirë pyetje mbi të ardhmen e ligjit për sigurinë kibernetike.
SHBA-ja gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të kufizuar Huawei-n dhe ZTE-n për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, duke ndaluar pajisjet e tyre në rrjetet federale dhe duke financuar heqjen e pajisjeve kineze të telekomunikacionit.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët kinezë raportohet se po ushtrojnë presion prapa skenave. Pekini ka sinjalizuar se rifillimi i eksporteve polake të mishit të shpendëve, të vonuara prej vitesh, mund të varet nga vendimi i presidentit Nawrocki për këtë ligj.
Një burim anonim qeveritar tha për Wirtualna Polska se Ministria e Bujqësisë ka planifikuar të dërgojë ngarkesën e parë të shpendëve në Kinë në muajin dhjetor.
“Sigurisht që kjo nuk ndodhi dhe as nuk do të ndodhë, pasi kinezët e bënë këtë shumë të qartë”, tha burimi.
Sipas transmetuesit, presidenti polak tani po përballet me një zgjedhje strategjike mes rreshtimit me Washingtonin ose rrezikimit të hakmarrjes ekonomike nga Pekini.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
