Polonia mbyll konsullatën e fundit ruse në vend për shkak të sabotimit të dyshuar hekurudhor
"Kur qëllimi i sabotimit janë viktimat njerëzore, kemi të bëjmë me terror shtetëror. Për këtë arsye kam vendosur të mbyll konsullatën ruse në Gdansk", tha ministri i Jashtëm polak, Sikorski
Varshavë
Polonia mbylli sot konsullatën e fundit ruse në qytetin verior të Gdanskut dhe sinjalizoi hapa të mëtejshëm hakmarrës që do të ndërmerren pas sulmeve ndaj infrastrukturës hekurudhore polake gjatë fundjavës, tha ministri i Jashtëm i vendit, Radoslaw Sikorski, transmeton Anadolu.
"Rusia nuk i ka ndaluar këto sulme, po i përshkallëzon ato", tha Sikorski në konferencën për mediat në Varshavë lidhur me incidentet, për të cilat Rusia ka mohuar çdo përgjegjësi. "Kur qëllimi i sabotimit janë viktimat njerëzore, kemi të bëjmë me terror shtetëror. Për këtë arsye kam vendosur të mbyll konsullatën ruse në Gdansk. Kjo nuk do të jetë përgjigjja jonë e plotë" njoftoi ai.
Sikorski shtoi se sot ose nesër do të kërkojë zyrtarisht ekstradimin e sabotatorëve të dyshuar nga Bjellorusia. Ai zbuloi gjetje të reja nga shërbimet e inteligjencës së Polonisë lidhur me dy përpjekje të fundit për të nxjerrë nga shinat trenat e pasagjerëve në korridoret kryesore hekurudhore që lidhin Varshavën me Lublinin dhe Deblinin, në juglindje.
Sipas tij, hetuesit kanë përcaktuar se autorët ishin qytetarë ukrainas që bashkëpunonin me inteligjencën ruse, konkretisht GRU-në, për të cilën ai tha se rregullisht punëson përfaqësues me identitete të rreme.
"Kjo do të përballet me përgjigjen tonë, jo vetëm diplomatike, për të cilën do t'ju informojmë në ditët në vijim", tha ai.
Kryeministri polak Donald Tusk konfirmoi më parë gjatë javës se shërbimet e vendit identifikuan dy shtetas ukrainas përgjegjës për sabotimin, të cilët tashmë ishin larguar nga Polonia në Bjellorusi.
Një nga sulmet përfshinte shpërthimin e një pajisjeje shpërthyese në linjën Varshavë-Lublin pranë stacionit Mika. Në të dytin, sabotatorët thuhet se dëmtuan sistemin e tërheqjes dhe vendosën një kapëse metalike në shina për të detyruar një dalje nga shinat.
Sikorski e lidhi sabotimin me retorikën politike rreth Ditës së Pavarësisë së Polonisë më 11 nëntor, duke kritikuar ashpër një marshim nacionalist në Varshavë gjatë të cilit u dogj një flamur i BE-së. Ai qortoi Karol Nawrocki-n, presidentin e vendit për injorimin e agresionit të Rusisë në fjalimin e tij ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë polakë për dorëzimin e sovranitetit ndaj BE-së.
Sulmet e fundit vijnë pas një vargu operacionesh të dyshuara të lidhura me Rusinë në të gjithë Poloninë dhe rajonin gjatë vitit të kaluar. Moska ka mohuar vazhdimisht çdo lidhje me incidentet.
