Pesë kamboxhianë të plagosur në të shtëna me armë zjarri pas pezullimit të paktit të paqes me Tajlandën
Duke cituar zyrtarë, media kamboxhiane pohoi se ushtarët tajlandezë hapën zjarr, por ushtria tajlandeze mohoi pretendimet
Istanbul
Të paktën pesë civilë kamboxhianë janë plagosur sot nga të shtëna pranë kufirit me Tajlandën, vetëm disa ditë pasi pala tajlandeze pezulloi marrëveshjen e paqes, transmeton Anadolu.
"Ushtarët tajlandezë hapën zjarr ndaj civilëve kamboxhianë" në fshatin kufitar Prey Chan në rrethin O'Chrov të provincës Banteay Meanchey, raportoi media kamboxhiane "Khmer Times", duke cituar një raport paraprak nga autoritetet lokale.
Një media tjetër kamboxhiane, "Fresh News", gjithashtu raportoi për incidentin, duke cituar guvernatorin e provincës, Um Reatrey.
Megjithatë, ushtria tajlandeze ka mohuar "se ka qëlluar apo lënduar civilë kamboxhianë sot", duke thënë se, në vend të kësaj, pala kamboxhiane ka hapur zjarr, sipas medias tajlandeze "Khaosod English".
Incidenti i të shtënave ka ndodhur rreth orës 16:00 me kohën lokale pranë kufirit të vendeve, i cili ka qenë skenë tensionesh në rritje muajt e fundit.
Ushtria tajlandeze ka thënë se “Kamboxhia shkaktoi trazira pranë (fshatit) Ban Nong Ya Kaeo, qëlloi me armë të vogla për dhjetë minuta, duke provokuar një reagim dhe duke shpresuar të krijonte një situatë për forcat tajlandeze”.
Ban Nong Ya Kaeo ndodhet në provincën lindore Sa Kaeo të Tajlandës, e cila kufizohet me provincën kamboxhiane Banteay Meanchey.
"Pala tajlandeze ishte e përgatitur dhe nuk reagoi në asnjë mënyrë", ka thënë Kolonel Richa Sooksuwanon, zëvendëszëdhënës i Ushtrisë Mbretërore Tajlandeze.
Incidenti pasoi pezullimin të hënën nga Bangkoku të marrëveshjes së paqes me Pnom Penin pas plagosjes së katër ushtarëve tajlandezë nga një shpërthim minash në provincën kufitare Si Sa Ket.
Këto dy vende të Azisë Juglindore nënshkruan marrëveshjen muajin e kaluar në Kuala Lumpur në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit malajzian, Anwar Ibrahim.
Më 28 korrik, Kamboxhia dhe Tajlanda kishin rënë dakord për një armëpushim të pakushtëzuar në një takim trepalësh të organizuar nga Anwar pas javësh konflikti.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
