Politikë, Bota

Partia e Gjelbër e Mbretërisë së Bashkuar fiton zgjedhjet e para të pjesshme në Westminster

Hannah Spencer, hidraulike lokale dhe këshilltare e Gjelbër, përmbys shumicën prej 13 mijë votash të Partisë Laburiste për t'u bërë deputetja e parë e partisë në Anglinë veriore

Aysu Biçer  | 27.02.2026 - Përdıtësım : 27.02.2026
Partia e Gjelbër e Mbretërisë së Bashkuar fiton zgjedhjet e para të pjesshme në Westminster

Londër

Partia e Gjelbër Britanike ka fituar zgjedhjet e para të pjesshme në Westminster, duke siguruar një fitore historike ndërsa Partia Laburiste në pushtet ndjeu goditjen e pakënaqësisë së votuesve, transmeton Anadolu.

Hannah Spencer, një këshilltare e Gjelbër, përmbysi shumicën prej 13 mijë votash të Partisë Laburiste në zonën zgjedhore Gorton dhe Denton për t'u bërë deputetja e parë e partisë në Anglinë veriore.

Rezultati e shtyu Reform UK në vendin e dytë, me Partinë Laburiste që ra në të tretën. Partia Laburiste nuk kishte humbur në këtë zonë që nga viti 1931.

Në fjalimin e saj të fitores, Spencer tha se do të luftonte për njerëzit që ndihen "të lënë pas dore" dhe e përshkroi veten si aspak të ndryshme nga ata që përfaqëson.

"Edhe në kaos, edhe nën presion, unë i kryej gjërat. Nuk u rrita me deshirën për t'u bërë politikane. Unë jam hidraulike", tha ajo.

"Unë nuk jam ndryshe nga çdo person këtu në këtë zonë zgjedhore. Unë punoj shumë. Kjo është ajo që bëjmë", tha Spencer.

Ajo theksoi se votuesit i kishin thënë asaj "me mijëra" se ishin "të lodhur duke u zhgënjyer dhe duke u përçmuar" dhe të lodhur nga "puna jonë e palodhur për t'i bërë të tjerët të pasur".


- "Ne i mundëm partitë e donatorëve miliarderë"

Spencer e përdori fjalimin e saj për të kritikuar atë që e përshkroi si politikë përçarëse, përfshirë përdorimin e retorikës islamofobike.

"Nuk do ta pranoj këtë fitore sonte pa i kritikuar politikanët dhe figurat përçarëse që vazhdimisht i fajësojnë komunitetet tona për të gjitha problemet në shoqëri", tha ajo. "Miqtë dhe fqinjët e mi muslimanë janë njësoj si unë, njerëz".

Duke bërë shaka për rolin e saj të ri, ajo shtoi: "Tani, klientëve të mi, më vjen keq, por mendoj se më duhet të anuloj punën që nuk e keni rezervuar, sepse po shkoj në parlament".

Ajo u zotua të përfaqësojë punëtorët kur të zërë vendin e saj në Westminster.

"Kur të shkoj atje, do të krijoj hapësirë ​​për të gjithë ata që bëjnë punë si e imja. Më në fund do të marrim një vend në tryezë. Mund të kërkojmë më mirë pa e urryer njëri-tjetrin", potencoi Spencer.

Ajo tha se të Gjelbrit kishin "drejtuar një fushatë shpresëdhënëse të mbështetur nga mijëra vullnetarë dhe aktivistë" dhe shtoi se "mposhtën partitë e donatorëve miliarderë".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın