Politikë

Parlamenti i Bullgarisë voton unanimisht për të pranuar dorëheqjen e qeverisë Zhelyazkov

Deputetët votuan me 227 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, për të miratuar largimin e kabinetit

Necva Taştan Sevinç  | 12.12.2025 - Përdıtësım : 13.12.2025
Parlamenti i Bullgarisë voton unanimisht për të pranuar dorëheqjen e qeverisë Zhelyazkov

Istanbul

Parlamenti i Bullgarisë miratoi sot njëzëri dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Rosen Zhelyazkov, duke i dhënë fund mandatit të kabinetit pas javësh protestash masive, transmeton Anadolu.

Deputetët votuan me 227 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, për të miratuar largimin e kabinetit, raporton Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA).

Zhelyazkov shpalli dorëheqjen e tij në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat të enjten, disa minuta para se Parlamenti të debatonte mbi një mocion mosbesimi të paraqitur nga aleanca "Vazhdo Ndryshimin-Bullgaria Demokratike", MEÇ dhe Aleanca për të Drejtat dhe Liritë.

Megjithatë, mocioni i mosbesimit u vendos për votim dhe dështoi me 106 votave ndaj 0, pa asnjë abstenim. Për të pasur sukses, një veprim i tillë duhet të miratohet nga të paktën 121 anëtarë të legjislaturës prej 240 vendeve.

Që nga 26 nëntori, Bullgaria është përfshirë nga protesta të mëdha antiqeveritare, të shkaktuara fillimisht nga propozimet kontestuese të buxhetit të kabinetit, dhe më pas u zgjeruan në zemërim publik ndaj korrupsionit, padrejtësive dhe dështimeve në qeverisje.

Duke folur për situatën më herët, Zhelyazkov tha se koalicioni qeverisës besonte se do të mbijetonte votimin për mosbesim, por theksoi respektin për ndjeshmërinë e publikut. "Burimi i pushtetit është sovrani dhe zëri i popullit", tha ai duke shtuar se qeveria synonte të përmbushte pritshmëritë e shoqërisë.

Zhelyazkov u zgjodh kryeministër më 16 janar 2025, duke siguruar 125 vota pro, 114 kundër dhe pa abstenime. Me pranimin formal të dorëheqjes së qeverisë nga Parlamenti, procedurat kushtetuese do të aktivizohen për të përcaktuar hapat e ardhshëm në formimin e ekzekutivit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın