Politikë, Ekonomi

Parlamenti Evropian miraton huanë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Në dhjetor, liderët e BE-së ranë dakord pas javësh negociatash për të financuar Ukrainën për vitet 2026 dhe 2027 përmes huamarrjes në tregjet kapitale pas mosarritjes së konsensusit mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse

Melike Pala  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 11.02.2026
Parlamenti Evropian miraton huanë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën

Bruksel

Parlamenti Evropian miratoi sot një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, duke aprovuar shpejt një paketë të madhe mbështetjeje financiare që synon të mbështesë shërbimet publike dhe kapacitetet e mbrojtjes të Kievit, transmeton Anadolu.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti miratimin e shpejtë nga parlamenti, duke nënvizuar angazhimin e vazhdueshëm të BE-së ndaj Ukrainës.

“Guximi i Ukrainës është i palëkundur. Po ashtu edhe vendosmëria e Evropës për t’i qëndruar pranë. Sot dhe nesër! Sepse një Ukrainë e fortë e bën gjithë Evropën më të sigurt”, shkroi ajo në platformën amerikane X.

Sipas kuadrit të propozuar, financimi i BE-së do të bëhet i disponueshëm për Ukrainën përmes dy kanaleve kryesore. Nga shuma totale, 30 miliardë euro do të jepen si mbështetje makroekonomike, ose përmes ndihmës makrofinanciare, ose përmes Instrumentit të Ukrainës, një mjet i dedikuar i BE-së për ofrimin e mbështetjes së qëndrueshme dhe të parashikueshme financiare për Kievin.

Shuma e mbetur prej 60 miliardë eurosh do të përdoret për të forcuar kapacitetin industrial të mbrojtjes të Ukrainës dhe për të mbështetur blerjen e pajisjeve ushtarake, duke siguruar qasje të shpejtë në produkte mbrojtëse si nga industria ukrainase, ashtu edhe nga ajo evropiane.

Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se votimi paraqet “një litar jetik shpëtimi” për Ukrainën, duke theksuar se financimi do të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve publike thelbësore dhe do të forcojë mbrojtjen e vendit.

Paketa duhet të miratohet edhe formalisht nga Këshilli i BE-së përpara se komisioni të disbursojë këstin e parë të fondit, i cili pritet në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2026.

Në dhjetor, liderët e BE-së ranë dakord pas javësh negociatash për të financuar Ukrainën për vitet 2026 dhe 2027 përmes huamarrjes në tregjet kapitale, pas dështimit të shteteve anëtare për të arritur një konsensus mbi përdorimin e drejtpërdrejtë të aseteve të ngrira ruse për mbështetjen e Ukrainës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın