Politikë

Palmer: Votimi në favor të Marrëveshjes së Prespës pikë kthese në histori

Zaev: Deputetët dhe fuqitë demokratike penguan rrezikun e një izolimi të ri, që këtë herë do të kishte dimensione katastrofike për vendin

Besar Ademi  | 22.10.2018 - Përdıtësım : 23.10.2018
Palmer: Votimi në favor të Marrëveshjes së Prespës pikë kthese në histori Foto: Besar Ademi / AA

Shkup

SHKUP (AA) - Zv/ndihmës sekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Euroazi, Matthew Palmer, i cili qëndron për vizitë punë në Maqedoni, pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, ka deklaruar se votat e 80 deputetëve të premten në Kuvend paraqesin pikë kthese në histori dhe hapin rrugën për të ardhmen evropiane të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media, Palmer bëri të ditur se me kryeministrin Zaev ka zhvilluar një diskutim të gjerë në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, procesin e zbatimit të saj, rrugën përpara në procesin për në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), si dhe çështje të tjera me interes të të dyja vendeve, Maqedonisë dhe SHBA-ve.

“Ngjarjet e të premtes, 80 votat në favor të Marrëveshjes së Prespës paraqet një pikë kthese në histori dhe një linjë ndarëse, si dhe hapin rrugën përpara për të ardhmen evropiane të Maqedonisë dhe popullit maqedonas”, deklaroi Palmer.

Palmer rikujtoi se SHBA-të fuqishëm mbështesin Marrëveshjen e Prespës dhe se zbatimi i plotë i saj është thelbësore për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Ndërkaq, kryeministri Zaev, nga ana e tij, theksoi se vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Maqedoni ndodhë në një moment me rëndësi të madhe për vendin, siç tha ai, vetëm pak ditë pas hapit të madh të së premtes në Kuvendin e Maqedonisë. Ai shtoi se vendimi i 80 deputetëve, të pozitës dhe të opozitës, për të hapur procedurën për ndryshimet kushtetuese, për të zbatuar Marrëveshjen e Prespës, edhe një herë e konfirmoi angazhimin euroatlantik për të ardhmen e vendit tonë.

“Deputetët dhe fuqitë demokratike në vend me guxim morën përgjegjësi, shkruan histori dhe e larguan Maqedoninë nga kërcënimi që përsëri të kthehet në të kaluarën e erët. Penguan rrezikun e njeë izolimi të ri, që këtë herë do të kishte dimensione katastrofike për vendin”, tha kryeministri Zaev.

Palmer më herët u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, NIkolla Dimitrov, si dhe me përfaqësues të partive politike në vend. Ai në këto takime shprehu mbështetjen e Washingtonit për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, të arritur midis Maqedonisë dhe Greqisë, e cila kërkon ndryshime në Kushtetutën e Maqedonisë, propozimi për qasje në të cilat u votua të premten në Kuvend me 80 vota “për” dhe 39 “kundër”.

Pas votimit për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese, qeveria si parashtruese e ndryshimeve kushtetuese, në afat prej 15 ditësh ka afat të parashtrojë projekt-amandamentet kushtetuese në Kuvend, të cilat komisioni do t’i shqyrtojë dhe më pas do të miratohen me votimin e shumicës së thjeshtë, ndërsa në fund vijon miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretën e votave në Kuvend.

Propozimi për ndryshime dhe plotësime kushtetuese përmban disa pika, duke përfshirë shtesën “e Veriut” në emrin aktual të Republikës së Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.

Ndryshe, kjo është vizita e dytë e zv/ndihmës sekretarit shtetëror amerikan për këtë vit në Maqedoni. Palmer për vizitë në Maqedoni ishte edhe në muajin gusht kur realizoi takime me kreun shtetëror të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın