Politikë, BALLKANI

Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjet presidenciale

Kutitë e votimit në të gjithë vendin u hapën në orën 07:00 në 3.480 qendra votimi dhe votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00

Abdula Berisha  | 24.04.2024 - Përdıtësım : 24.04.2024
Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjet presidenciale Foto: Abdula Berisha/AA

Shkup

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjet presidenciale, raporton Anadolu.

Kutitë e votimit në të gjithë vendin u hapën në orën 07:00 në 3.480 qendra votimi dhe votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00.

Në zgjedhjet e shtata presidenciale, të drejtë vote kanë 1.814.317 votues që mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president.

Sipas ligjeve, fituesi shpallet në raundin e parë të votimit vetëm nëse njëri prej kandidatëve ka fituar më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar. Nëse kjo nuk ndodh, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve, në të cilin garojnë dy kandidatët me më shumë vota nga raundi i parë. Pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale duhet të jetë mbi 40 për qind, që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Sipas Kushtetutës, kandidati për president duhet të jetë mbi 40 vjeç dhe të jetë banor i vendit për të paktën 10 nga 15 vitet e fundit. Një mandat i presidentit zgjat 5 vjet dhe një president mund të jetë në detyrë më së shumti për dy mandate.

Nëse në raundin e parë të votimit nuk shpallet fitues, raundi i dytë është planifikuar të mbahet më 8 maj, ditën kur janë shpallur edhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.