NYT: Aeroplanmbajtësja amerikane "USS Gerald R. Ford" do t'u bashkohet forcave detare në Lindjen e Mesme
Grupi sulmues i "USS Gerald R. Ford" do të përforcojë atë "USS Abraham Lincoln" në Gjirin Persik mes presionit të SHBA-së mbi Iranin
Istanbul
Aeroplanmbajtësja “USS Gerald R. Ford” dhe anijet shoqëruese të saj, që aktualisht ndodhen në Karaibe, do të ridislokohen në Lindjen e Mesme dhe nuk do të kthehen në SHBA deri në fund të prillit ose fillim të majit, sipas The New York Times, transmeton Anadolu.
Katër zyrtarë amerikanë, që kanë folur për gazetën në kushte anonimiteti, kanë thënë se ekuipazhi i anijes është njoftuar për vendimin të enjten.
Grupi sulmues “Ford” do t’i bashkohet “USS Abraham Lincolnit” në Gjirin Persik për të mbështetur presionin e shtuar të presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit.
Trump kishte kërkuar më parë një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon, por pa specifikuar se për cilën anije bëhej fjalë.
Muajin e kaluar, presidenti amerikan paralajmëroi se një “armadë” masive po i afrohej Iranit, duke i bërë thirrje Teheranit të arrijë një marrëveshje ose “sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i rëndë”.
Trump deklaroi se flota që po afrohet drejt Iranit, e udhëhequr nga “USS Abraham Lincoln”, është më e madhe se ajo që ishte dërguar më parë në Venezuelë dhe e përshkroi si “të gatshme, të vendosur dhe të aftë për të përmbushur misionin e saj me shpejtësi dhe forcë, nëse është e nevojshme”.
"USS Gerald R. Ford" u nis nga Norfolk, Virxhinia, më 24 qershor për një dislokim që fillimisht ishte planifikuar si një tur evropian, por u ridrejtua drejt Karaibeve për të mbështetur fushatën e presionit të Trumpit ndaj Venezuelës.
Avionët e “Ford”-it morën pjesë në operacionin e 3 janarit në Venezuelë që rezultoi me kapjen e presidentit Nicolas Maduro.
Fillimisht e planifikuar të kthehej në fillim të marsit, dislokimi i grupit sulmues tani është zgjatur. Sipas lajmit, vonesa e fundit rrezikon edhe periudhën e planifikuar të remontit të madh dhe përmirësimeve në dokun e Virxhinias.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
