Politikë

Musk përsërit thirrjen për të sfiduar sistemin “unipartiak” amerikan me krijimin e një lëvizje të re politike

- “Dita e Pavarësisë është koha e përkryer për të pyetur nëse dëshironi pavarësi nga sistemi dypartiak (disa do të thoshin unipartiak)”, tha Musk, duke pyetur “A duhet të krijojmë Partinë Amerikane”

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı  | 04.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
Musk përsërit thirrjen për të sfiduar sistemin “unipartiak” amerikan me krijimin e një lëvizje të re politike

Ontario

HAMILTON (AA) - Miliarderi i teknologjisë Elon Musk, dikur njeri i besueshëm i presidenti Donald Trump, i cili më vonë u përfshi në një grindje publike me presidentin amerikan, ka përsëritur thirrjen e tij për të sfiduar atë që ai e përshkroi si sistem “unipartiak” në SHBA, transmeton Anadolu.

“Dita e Pavarësisë është koha e përkryer për të pyetur nëse dëshironi pavarësi nga sistemi dypartiak (disa do të thoshin unipartiak)”, shkroi Musk në platformën sociale X, duke pyetur “A duhet të krijojmë Partinë Amerikane”.

Postimi i tij vjen pas miratimit të një projektligji gjithëpërfshirës nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së për uljen e taksave dhe shpenzimeve, dje me një votim të ngushtë 218-214, duke ia dërguar atë presidentit Trump për nënshkrim.

Musk sugjeroi se një mënyrë për të filluar do të ishte ”përqendrimi i fokusuar” në përpjekjet për fitimin e vetëm disa garave kyçe të kongresit.

"Një mënyrë për ta zbatuar këtë do të ishte përqendrimi i fokusuar vetëm në dy ose tre vende në Senat dhe tetë deri në dhjetë zona zgjedhore në Dhomën e Përfaqësuesve. Duke marrë parasysh kufijtë shumë të ngushtë legjislativ, kjo do të ishte e mjaftueshme për të shërbyer si votë vendimtare për ligjet e diskutueshme, duke siguruar që ato t'i shërbejnë vullnetit të vërtetë të popullit", tha ai.

Derisa Musk nuk përmendi ndonjë projektligj specifik në postim, komentet e tij të fundit pasqyrojnë një premtim të kaluar për të nisur një parti të re politike nëse Kongresi miraton "Projektligjin e Madh dhe të Bukur" të Trumpit.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan dhe njeriu më i pasur në botë hodhën akuza ndaj njëri-tjetrit, disa ditë pasi u shfaqën së bashku në Shtëpinë e Bardhë dhe Trump falënderoi Muskin për kohën e tij të shkurtër në qeverinë amerikane.

Musk deri në fund të muajit maj drejtoi Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), që synonte uljen e shpenzimeve qeveritare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.