Politikë

Musk: Arsyeja e vërtetë pse dosjet "Epstein" nuk janë bërë plotësisht publike është sepse Trump është në to

Deklarata e Muskut është e fundit në përçarjen në rritje midis aleatëve dikur të ngushtë

Michael Gabriel Hernandez  | 05.06.2025 - Përdıtësım : 05.06.2025
Musk: Arsyeja e vërtetë pse dosjet "Epstein" nuk janë bërë plotësisht publike është sepse Trump është në to

Washington DC

Drejtori ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, tha se “arsyeja e vërtetë” pse dokumentet qeveritare mbi financierin e gjykuar për abuzime seksuale dhe krijimin e një rrjeti prostitucioni Jeffrey Epstein nuk janë bërë publike plotësisht është sepse presidenti Donald Trump përmendet në to, transmeton Andaolu.

Deklarata e Muskut është e fundit në përçarjen në rritje midis aleatëve dikur të ngushtë.

“Koha për të hedhur bombën vërtet të madhe: Donald Trump është në dosjet e Epsteinit. Kjo është arsyeja e vërtetë pse ato nuk janë bërë publike. Kalofshi një ditë të mbarë, DJT!”, shkroi Musk në X.

“Shënojeni këtë postim për të ardhmen. E vërteta do të dalë në dritë”, shtoi ai.

Musk dhe Trump kanë shkëmbyer kritika gjithnjë e më të ashpra sot pasi miliarderi i teknologjisë u largua nga administrata dhe vazhdoi kundërshtimet ndaj një projektligji shpenzimesh dhe tatimesh të Trumpit.

Trump më herët la të kuptohej se mund të hakmerret kundër ndihmësit të tij dikur të ngushtë duke shkurtuar miliarda dollarë nga fondet qeveritare për kompanitë e Muskut.

Musk më herët tha po ashtu se po të mos ishte për të, Trump nuk do t’i fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Ndërkaq, Trump ishte shprehur “i zhgënjyer” me miliarderin pas kritikave të tij ndaj projektligjit të tatimeve.

Presidenti sugjeroi që kritika e Muskut për “projektligjin e madh dhe të bukur” mund të jetë e rrënjosur në xhelozi. “Mendoj se atij i mungon vendi. Mendoj se u largua dhe papritmas nuk është në këtë Zyrë Ovale të bukur”, ka thënë Trump.


- Rasti i Jeffrey Epsteinit

Jeffrey Epstein, i cili u gjykua për abuzim seksual me dhjetëra vajza nën moshën 18 vjeç, më e reja prej të cilave ishte 14 vjeç, dhe për krijimin e një rrjeti prostitucioni, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Burgun Qendror Metropolitan të Manhattanit në New York më 10 gusht 2019.

Dosjet e çështjes Epstein që janë publikuar përfshijnë shumë emra të famshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.