Ministri polak: Polonia është në "luftë kibernetike" me Rusinë
Gawkowski tha se "lufta kibernetike me Rusinë vazhdon" dhe se autoritetet polake janë të vetëdijshme se "shumë operativë të inteligjencës ruse mund të përpiqen të hyjnë në hapësirën kibernetike polake"
Gjenevë
Ministri i Çështjeve Digjitale të Polonisë, Krzysztof Gawkowski ka deklaruar se vendi i tij po përballet me një "luftë kibernetike të vazhdueshme" me Rusinë, duke paralajmëruar se operativë të inteligjencës ruse mund të përpiqen të depërtojnë në rrjetet polake, transmeton Anadolu.
Duke folur të enjten në Berlin, sipas TVP World, Gawkowski u tha gazetarëve se "lufta kibernetike me Rusinë vazhdon" dhe se autoritetet polake janë të vetëdijshme se "shumë operativë të inteligjencës ruse mund të përpiqen të hyjnë në hapësirën kibernetike polake".
Komentet e tij u bënë gjatë një konference digjitale të mbajtur në Ambasadën e Polonisë. Ngjarja, e organizuar nga Dhomat e Industrisë dhe Tregtisë Polako-Gjermane u fokusua në lidhjet midis inovacionit digjital dhe ekonomisë së gjelbër.
Polonia ka intensifikuar monitorimin e kërcënimeve kibernetike që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, me zyrtarë që paralajmërojnë rregullisht se sulmuesit e sponsorizuar nga shteti synojnë institucionet publike polake, infrastrukturën kritike dhe bizneset private.
Gawkowski foli edhe lidhur me arrestimin e fundit të një shtetasi rus në qytetin Krakow, i dyshuar për hakimin e sistemeve kompjuterike të disa kompanive polake. Ai tha se Polonia duhet të mbetet e vëmendshme ndaj sulmeve të mundshme nga agjencia ushtarake e inteligjencës ruse GRU dhe paralajmëroi se veprime të tilla "nuk do të toleroheshin".
Ai tha se është takuar me ministrin federal gjerman për transformim digjital dhe modernizim të qeverisë, Karsten Wildberger, për të diskutuar mbi sovranitetin digjital evropian dhe mbështetjen për kompanitë lokale të teknologjisë.
Dje më herët, ministri i Punëve të Brendshme i Polonisë, Marcin Kierwinski shkroi në platformën sociale të kompanisë amerikane X se një shtetas rus është arrestuar nga byroja polake për krime kibernetike dhe akuzohet për ndërhyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike të bizneseve polake.
Hetuesit thanë se i dyshuari kishte thyer sistemet e sigurisë së një platforme të tregtisë elektronike, kishte aksesuar bazat e të dhënave dhe kishte ndryshuar përmbajtjen e tyre. Ai është akuzuar dhe vendosur në paraburgim për tre muaj ndërsa prokurorët thanë se mund të ketë lidhje me krime të tjera kibernetike në BE.
