Politikë

Ministri danez i Mbrojtjes: Bisedimet e planifikuara me SHBA-në për Grenlandën "lajm i mirë"

Ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen e quajti "një lajm vërtet të mirë" takimin e planifikuar me SHBA-në për Grenlandën javën e ardhshme

İlayda Çakırtekin  | 08.01.2026 - Përdıtësım : 08.01.2026
Ministri danez i Mbrojtjes: Bisedimet e planifikuara me SHBA-në për Grenlandën "lajm i mirë"

Stamboll

Ministri i Mbrojtjes së Danimarkës, Troels Lund Poulsen e quajti "një lajm vërtet të mirë" takimin e planifikuar me SHBA-në për Grenlandën javën e ardhshme, transmeton Anadolu.

"Mendoj se ky është një lajm vërtet i mirë, sepse tregon se tani kemi mundësinë të flasim drejtpërdrejt me njëri-tjetrin në vend që ta bëjmë këtë përmes medias, dhe të kesh një takim është gjithmonë ide e mirë", tha Poulsen për transmetuesin publik DR.

Ai përsëriti se është e rëndësishme që biseda të zhvillohet në një mjedis konfidencial dhe jo para mediave. "Ky është dialogu i nevojshëm, të cilin qeveria e ka kërkuar së bashku me qeverinë e Grenlandës", shtoi Poulsen.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio tha të mërkurën se do të ketë takim me zyrtarët danezë javën e ardhshme, pasi Danimarka kërkoi bisedime mes tensioneve në rritje pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump ndaj Grenlandës.

Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që kapi presidentin Nicolas Maduro, Trump të dielën përsëriti thirrjen e tij për marrjen e Grenlandës për interesa të "sigurisë kombëtare".

"Na duhet Grenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë", tha ai kur u pyet për ndonjë veprim të mundshëm të SHBA-së kundër Grenlandës.

Grenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës dhe ka hedhur poshtë vazhdimisht propozimet që sugjerojnë çdo transferim të sovranitetit te SHBA-ja.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i ka kërkuar Trumpit të "ndalojë kërcënimet" dhe se "gjithçka do të ndalet" nëse sulmohet.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın